Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Muzeu Historik, lider në fushën e muzeologjisë shqiptare

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Muzeu Historik Kombëtar organizoi sot veprimtarinë jubilare në 40-vjetorin e përurimit  të tij, çeljen e konferencës ndërkombëtare muzeuologjike “Muzetë përtërijnë të ardhmen” dhe ekspozitës “Kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar”.

Në ceremoninë jubilare të Konferencës Ndërkombëtare Muzeuologjike “Muzetë Përtërijnë të Ardhmen”, në kuadër të 40-vjetorit të përurimit të Muzeut Historik Kombëtar, ishte një panel i zgjedhur i përbërë nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, Sekretari Shtetit i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Valmir Aziri, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Skënder Gjinushi si dhe shumë studiues, historianë, muzeologë dhe dashamirës të muzeologjisë, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi u shpreh se “ky përvjetor i paraprin vitit 2022, i cili përkon dhe me 100- vjetorin e themelimit të Muzeut Historik Kombëtar”.

“Ka ardhur momenti i përshtatshëm për të promovuar rrjetin kombëtar të muzeve, që do të shërbejë si rregullator i sistemit të muzeologjisë shqiptare. Me interes të veçantë do të ishte një mbledhje vjetore e muzeologëve, e cila konsiston në shkëmbimin e përvojës profesionale në menaxhimin, restaurimin, ekspozimin e objekteve muzeale. Këtë vit kjo konferencë shkencore do të zhvillohet në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, por me krijimin e rrjetit muzeal qëllimi ynë është që konferencat të zhvillohen në vendet e rajonit në muzetë e Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi etj”, tha Koçi.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se “pa kujtesë nuk ka kulturë; pa kujtesë nuk mund të ketë qytetërim, shoqëri, të ardhme”. Kështu thoshte Elie Wiesel, Nobelisti për Paqen dhe një i mbijetuar Holokaustit, që ashtu si At Zef Pllumi jetoi për të treguar, gjithçka për të cilën ai ishte dëshmitar”.

“Sot jemi në 40-vjetorin e Muzeut Historik Kombëtar, këtij institucioni me një rëndësi të veçantë në rrëfimin e rrugëtimit të shqiptarëve në rrjedhën e historisë; një nga destinacionet më të rëndësishme të vizitorëve shqiptarë e të huaj, që duhet të jetë lider në fushën e muzeologjisë shqiptare. Me hapa gradualë po sjellim ndryshimin: Po restaurojmë mozaikun simbolik në ballinën e ndërtesës, kemi lehtësuar aksesin e vizitorëve përmes biletarive elektronike, online, audioguidave, ndërsa i kemi hapur dyert debatit konstruktiv mbi historinë dhe muzeologjinë”, theksoi Margariti.

Në këtë përvjetor jubilar Valmir Aziri, Sekretari Shtetit i Ministrisë së Kulturës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në fjalën e tij u shpreh se “jam shumë i nderuar që jam sot pjesë e aktivitetit kushtuar 40-vjetorit të inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar, i cili në zemër të kryeqendrës shqiptare është një thesar i jashtëzakonshëm i memories sonë kolektive të cilat vijnë që nga lashtësia, vlerat më sublime të kombit tonë. Ky Muze përbën një nga faktorët më dominant të ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave tona kombëtare nga brezi në brez dhe si i tillë meriton një vëmendje të theksuar jo vetëm nga institucionet shtetërore por dhe më gjerë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë aktivitet si i ftuar nderi në këtë event, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Prof. Dr. Skënder Gjinushi u shpreh se “40-Vjetori i themelimit të Muzeut Historik Kombëtar është një datë jubilare jo vetëm për kulturën dhe shkencën shqiptare por dhe gjithë shoqërinë dhe vendin tonë. Kam kënaqësinë që në emër Akademisë së Shkencave të uroj gëzuar këtë përvjetor të shënuar dhe të shpreh bindjen se ai do të jetë gjithnjë në lartësinë që i takon si kryeqendra e memories së një populli me histori të lashtë dhe me një qytetërim me një identitet kulturor dhe gjuhësor ndërkombëtar të veçantë”.

Përgjatë ceremonisë së veprimtarisë jubilare në 40-vjetorin e inaugurimit të Muzeut Historik Kombëtar, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, prezantoi

shoqatën “Miqtë e Muzeut Historik Kombëtar”, e cila ka si objekt veprimtarie, Mbështetjen e Programeve kryesore të zhvillimit të Muzeut Historik Kombëtar, nëpërmjet kontributeve, sponsorizimeve, dhe trashëgimive të lëna nga anëtarët e saj, Fondacioni Miqtë e Muzeut siguron një fond vjetor për të pasuruar koleksionet e muzeut, për publikime, aktivitete të ndryshme, etj.

Shpërndarja e Diplomave të Mirënjohjes, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për ndihmesën dhe kontributin e dhënë në konceptimin, përmbajtjen, si edhe në ecurinë e Muzeut Historik Kombëtar gjatë 40 viteve, si institucioni më i madh muzeor në vend. Këto diploma mirënjohjeje shkuan për: Selim Islamin, Moikom Zeqon, Luan Malltezin, Nina Shehun, Fisnik Pulajn, Enver Kushin, Tatjana Alimeman, Robert Koten, Grigor Kondurin, Sotirulla Hoxhan, Fatmir Haxhiun, Kleanthi Deden, të cilët përshendetën të emocionuar si dhe falënderuan organizatorët për mirënjohjen dhe respektin e shfaqur karshi kontributit të tyre gjatë 40 viteve.

Për të pranishmit u shfaq dokumentari me titull “Me ndërtuesit e Muzeut Historik Kombëtar”, i cili pasqyroi për të pranishmit zanafillën e projektimit,  realizimit dhe përmbajtjes së tij, ku kanë punuar dhe kontribuar grupe pune për çdo periudhë historike të përbërë nga: historianë, arkitektë, piktorë, fotografë,etj.

Po ashtu u çelja edhe ekspozita në kuadër të 40-vjetorit të përurimit të Muzeut Historik Kombëtar me titull “Kur ndërtohej Muzeu Historik Kombëtar”, e cila përmban fotografi të protagonistëve të atyre viteve e shoqëruar me dokumente arkivore.

/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.