TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Me mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për herë të parë këtë vit u mundësua mbështetja e fermerëve me naftë falas.

19 365 fermerë nga 12 qarqe të vendit përfituan nga skema e naftë falas për bujqësinë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, subvencionimi i naftës për bujqësinë ka pasur një interes të shtuar nga fermerët për të përfituar naftë pa taksa për punët në bujqësi.

Janë shpallur të vlefshme 19 365 aplikime me rreth 4.1 milionë litra naftë për një sipërfaqe prej rreth 31 558 hektarë foragjere dhe misër.

Ndërsa në fazën e parë të aplikimit, në skemën e mbështetjes naftë pa taksa për bujqësinë, 15 janar – 30 mars 2021, aplikuan mbi 20 mijë fermerë në shkallë vendi.

Kjo masë mbështetëse reduktoi ndjeshëm kostot e fermerëve në prodhim e për pasojë dhe çmimet për konsumatorin.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.