Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ndarja nga jeta e Edi Luarasit, mesazhe ngushëllimi

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Aktorja e njohur Edi Luarasi ndërroi jetë këtë të premte në moshën 81-vjeçare.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në mesazhin e tij të ngushëllimit, duke e cilësuar një prej ikonave të filmit dhe skenës shqiptare, tha se Edi Luarasi, do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj.

“Me shumë keqardhje mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktores së mirënjohur dhe të talentuar, Edi Luarasi, një prej ikonave të filmit dhe skenës shqiptare, të cilën vetëm pak muaj më parë pata privilegjin ta vlerësoj me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”.
Edi Luarasi, do të mbetet një figurë frymëzuese për artistët e rinj, veçanërisht për vajzat dhe gratë, si shembull i kurajës qytetare, lirisë, vlerave dhe dinjitetit njerëzor, që sfidoi diktaturën për të triumfuar si dëshmitare e padrejtësive absurde të regjimit të kaluar.
Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe komunitetit të artistëve, lutem të prehet në paqen e merituar”, thuhet në mesazhin e Presidentit.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti në mesazhin e saj të ngushëllimit e cilëson Edi Luarasin, emblemë të Festivalit XI.

“Lamtumirë Edi Luarasi, e talentuara, e bukura, fisnikja, emblema e Festivalit XI.

U prehsh në paqe pranë bashkëshortit tënd, me të cilin ndave një jetë plot tallaze, sukseset e skenës dhe përndjekjen për hir të artit”, shprehet ministrja.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.