Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ndarja nga jeta e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Colin Powell, mesazhe ngushëllimi

TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta e cilësoi sot ndarjen nga jeta të ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Colin Powell një humbje të madhe edhe për kombin tonë.

Meta tha se Powell ishte mik i jashtëzakonshëm dhe mbështetës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për Pavarësinë e Kosovës.

“Ndarja nga jeta e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Colin Powell është një humbje e madhe edhe për vendin dhe kombin tonë. Një mik i jashtëzakonshëm, i paçmuar, gjithmonë mbështetës për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për Pavarësinë e Kosovës. Në veçanti, angazhimi i Tij për Kartën e Adriatikut, që u nënshkrua në 2 maj 2003 në Tiranë, ishte shumë i rëndësishëm për të përgatitur anëtarësimin tonë në NATO në mënyrë të pakthyeshme. Po kështu gjatë vizitës së Tij në Tiranë u dakorduam se kishte ardhur koha për të kaluar nga politika standarde para statusit për Kosovën, drejt politikës standarde dhe status njëkohësisht, që do t’i paraprinte atij deklarimi historik nga Presidenti Bush, gjatë vizitës në Tiranë, për Kosovën”, theksoi Meta në mesazhin e ngushëllimit.

Ndarja nga jeta e Colin Powell, Balla kujton angazhimin e Ish-Sekretarit të DASH në Tiranë

Edhe kryetari i grupit parlmentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reguar pas ndarjes nga jeta të ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Colin Powell.

Balla deklaron se Colin Powell do të vizitonte Tiranën për të firmosur në emër të SHBA Kartën e Partneritetit të Adriatikut A-3 e cila parapriu anëtarësimin e Shqipërisë pak vite më pas në NATO.

Sipas Ballës, Colin Powell do të shpallte në Tiranë një politikë tepër të qartë: “SHBA-të do të bëjnë të pamundurën për të mbështetur popullin e Shqipërisë për të përmbushur pritshmëritë dhe të përfundojnë rrugëtimin e tyre në zemër të Europës”.

Colin Powell, i pari afro-amerikan i emëruar Sekretar Shteti në SHBA, ndërroi jetë sot në moshën 84-vjeçare nga komplikacionet prej virusit COVID-19.

Ish-oficeri ushtarak u vendos në krye të diplomacisë së vendit të tij në vitin 2000, kur president i Shteteve të Bashkuara ishte George W. Bush.

Powell ishte një ushtarak profesionist i shquar, karriera e të cilit e çoi atë nga detyra luftarake në Vietnam për t’u bërë këshilltari i parë i sigurisë kombëtare me ngjyrë gjatë përfundimit të presidencës së Ronald Reagan.

Popullariteti i tij kombëtar u rrit pas fitores së koalicionit të udhëhequr nga SHBA gjatë Luftës së Gjirit, dhe për një kohë në mesin e viteve ’90, ai u konsiderua një pretendent kryesor për t’u bërë presidenti i parë me ngjyrë i SHBA.

Kur Powell u betua si Sekretar Shteti i administratës Bush, në vitin 2001, ai u bë zyrtari publik i rangut më të lartë publik deri më sot duke qëndruar i katërti në linjën presidenciale të trashëgimisë.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.