Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ndërron jetë regjisorja Burbuqe Berisha

PRISHTINË, 27 tetor/ATSH/ Ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha.

Për vdekjen e saj ka njoftuar edhe Ministria e Kulturës.

“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.

Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi.

Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”.

Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës.

Osmani:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar për vdekjen e regjisores Burbuqe Berisha. Osmani thotë se vdekja e saj është një humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës.

“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të regjisores Burbuqe Berisha. Vdekja e hershme e Buqes, sikur njihet ndër qarqet  artistike, është humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës. Ajo përfaqëson një brez krijuesish, të cilët u formuan në kohë rezistence dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas saj, duke e shndërruar artin në rezistencë e dëshmi. Puna e saj prej regjisoreje në Teatrin Kombëtar, në teatrin ‘Faruk Begolli’, por edhe në teatro të tjera, mbetet vulë e fuqishme në zhvillimin e teatrit, por edhe të jetës kulturore përgjithësisht. Krahas punës në teatër, Buqja ka dhënë kontribut të theksuar në edukimin e brezave të rinj, duke qenë pedagoge e respektuar. Ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të!”, ka shkruar Osmani.

/KosovaPress/