Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Në 29 nëntor hapet rruga e Arbrit

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Rruga e Arbrit do hapet në 29 nëntor.

Lajmin e dha sot kryeministri Edi Rama, i cili duke replikuar në Kuvend me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë plenare, tha se, “në 29 nëntor hapet rruga e Arbrit. Do hapet rruga e Arbrit në 29 nëntor që të kalojnë njerëzit, me të vetmin problem, që në qafën e Murrizit për shkak të përbërjes gjeologjike të tunelit që ka krijuar vonesa të mirë dokumentuara, gjithë pjesa tjetër është gati”.

“Dhe ja çfarë bën këtu Lulzim partneriteti publik-privat. Nëse do të ndodhte me tunelin e Murrizit, ajo që ndodhi me shfaqjen e një përbërje të papritur dhe ajo do të ishte me buxhetin e shtetit, atëherë do të duhej të nxirrnim nga buxhetit i shtetit një mal me lekë të tjera, siç keni nxjerrë ju dhe siç jemi detyruar të nxjerrim ne për ato tenderët pa projekte gjeologjike, pa projekte fare që keni bërë ju. Për të shkuar për të bërë foltoren në tunelin e Elbasanit para zgjedhjeve, bashkë me llumin atje. Me llumin që i thua llum sot ti. Ke qenë ti atje. Ty të nxori llumi përpara atje dhe tha ja ku e kemi djalin tonë. Dhe ti në majë të daulles atje. Dhe kur erdhi puna, pasi i ratë daulles atje, bashkë me llumin, siç thua ti, jo unë. U deshën sa e sa para’ për të vazhduar për t’u marrë me rrëshqitjet e me lemeritë e projektit”, theksoi Rama.

“Apo me Qukës Qafë-Plloçën, që e latë me disnivel. Ura nga një anë në tjetrën 17 metra. Sikur kishit bërë atje trampolinë për të kërcyer llumi nga lart poshtë dhe të binte këtu. Këto janë projektet tuaja dhe ky është koncepti juaj. Kurse me PPP ne s’kemi punë fare. I themi kompanisë të doli tuneli e mban ti. Përbërjen gjeologjike është tek ti, nuk është tek ne. Nuk shtojmë ne para’për atë punë. Kuptove. Dhe e rëndësishme është që me paratë që përndryshe do të duheshin vite akoma për t’u bërë të gjitha bashkë, e për t’u bërë rruga e Arbrit. Dakord. Ne thjesht do të paguajmë në vite kthimin e investimit për një rrugë që është gati atje. Më 29 nëntor merr dhe deputeten e Dibrës, meqë e pyete, se e ke konsulente dhe kaloni andej. Po kujdes, se nga ajo rruga ka shumë foltore rrugës, edhe mos ngecni rrugës atje”, tha Rama.

“Se unë nuk di çfarë të bëj me ju. Njëri thotë më bllokoi Edi Rama, po unë Kavajën e dua aq shumë sa nuk ka gjë që më bllokon. Tjetri thotë që llumi këtej, llumi andej. Njëri thotë të ka marr peng ty. Ti thua më ka marrë peng ai. Atë nuk e di kush e ka marrë peng. Lulzim lëri këto. Këto janë hallet tuaja s’janë hallet tona. Këto janë hallet e partisë më të bukur në lindje. Si the partia më e bukur e lindjes. Mis lindja. Faktet janë fakte. Ke fakte? Hajde këtu”, tha Rama.

“Vazhdon bën trimin. Dhe mos e përmend më gropën e Hajdinit. Kam mbush gropën e Hajdin Sejdisë. E kupton ke 100 vjet vërdallë këtu dhe e vetmja gjë që thua, kam mbushur gropën e Hajdin Sejdisë. E kupton tani se ku je? Edhe paske fituar ti Tiranën. Po Ristani çfarë thotë, se nuk është këtu? Ristani? S’po them rezultati. Por nuk ka asnjë rëndësi”, u shpreh Rama.

“Lulzim këto nuk janë për këtu. S’ka asnjë problem që në politikë je në garë edhe fiton, edhe humbet. S’ka asnjë problem, fare. Edhe sikur të jetë ashtu siç thua ti s’ka asnjë problem. Këtu s’është çështje kreshnikësh. Këtu është çështja që ti duhet ta ndash tani. Ta ndash mirë. Çfarë e ke marrë falë llumit dhe çfarë ke marrë falë vetes. Deri tani bilanci kuptohet, anon nga llumi. Pa llumin ti s’do ishte këtu fare njëherë, si fillim. Prandaj mos hajde të na bësh ne moral. Mos hajde të na bësh ne leksione. Dhe mbi të gjitha mos hajde këtu dhe të përsërisësh këngën e llumit sa herë merr fjalën në garë bashkë me llumin se kush akuzon, kush shpif, kush shan më shumë”, u shpreh Rama.

“Po ta them sot në zgjedhjet e ardhshme do dilni më keq të dyja palët. Se do jeni dy, nuk jeni më një. Se s’keni si jeni një. Do dilni më keq të dyja palët dhe të dyja bashkë nuk do bëni dot atë që bëtë kur ishit llum komplet. Dakord”, tha Rama.

“Interesi cinik është i qartë. Ndërsa interesi ynë, interesi i vendit, interesi i çështjeve që ne këtu jemi zgjedhur për të diskutuar është diçka tjetër. Nëse doni të merremi me këto hajde merrmi. Nëse do vazhdosh ti, bashkë me ju, që të vini këtu me të shara, me baltë, me akuza dhe me një gjuhë, e cila të turpëron ty, si prind, personalisht dhe na turpëron ne të gjithë si prindër këtu, që japim këtu mësime këtu sesi në një mjedis publik i thua tjetrit unë të kam kafshuar. E kupton. Imagjino çfarë mendojnë fëmijët kur shohin një goxha profesor, me brilantin dhe me kollare që i thotë një tjetri, një plaku si puna ime rrugës, unë të kam kafshuar. E imagjinon sa pleq do kafshoheshin sot po të të dëgjonin ty fëmijët? A e kuptove? Kështu që mblidh mendjen Lulzim. E kuptoj që e ke të vështirë. Por këtu kjo është serioze. Nëse doni të ktheheni prapë tek koha e llumit dhe ta përdorni këtë foltore këtu për llum, vazhdoni, s’ka problem. Ne nuk ju ndalojmë dot të drejtën e fjalës. Por harrojeni se do harxhojmë kohe këtu me ju. Dhe harroje ti se do rri unë këtu të merrem me macen, siç thotë Frojdi se dhe ajo koha e të marrit me macen e ka një limit”, përfundoi kryeministri Rama replikën me kreun e PD, Basha. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.