Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Nga truprojë pranë familjes Berisha, i dënuar për gjobëvënie, sot avokat! Historia e Fatos Skejës që kërkoi të blinte gjakun e Hekuran Dedës

Në vitin 2014 dilte para Gjykatës së Krimeve të Rënda si i pandehur për gjobëvënie, ndërsa sot del para gjyqtarëve si avokat. Bëhet fjalë për Fatos Skejën, ish-bodigardi i Sali Berishës dhe ish-gardist pranë Familjes Berisha, i akuzuar se tentoi të binte me para familjen e Hekuran Dedës pas vrasjes në 21 Janar 2011. I njohur edhe si truproja personale i Shkëlzen Berishës, Fatos Skeja ka marrë fillimisht licencën e avokatit dhe më pas, në 8 maj 2018, është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona fizik për të ushtruar profesionin e avokatit, për të mbrojtur dhe përfaqësues individë dhe çështje të ndryshme në gjykatë.

Në tetor të vitit 2015, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Fatos Skejën me 3 vite burg për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Sipas dosjes, Fatos Skeja i kërcënonte shtetasin shqiptaro-amerikan, Ramazan Hima, duke i kërkuar 100 mijë USD. Hima, me banim në Paskuqan, por që ushtronte aktivitet biznesi në Filadelfia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, refuzoi kërcënimin dhe bëri në denoncim në prokurori, duke u vënë në dispozicion numrin e celularit të tij dhe numrin nga i cili i kishte mbërritur mesazhi kërcënues. Skeja u arrestuar në dhjetor të vitit 2013 dhe një vit më pas u dënua.

Fatos Skeja është lakuar në rrethet mediatike edhe si protagonist i lëvizjeve në prapaskenë të Sali Berishës pas vrasjeve të 21 Janarit 2011. Skeja ishte pjesë e Gardës së Republikës. Ai u akuzua publikisht nga familja e Hekuran Dedës, i vrarë në 21 Janar 2011, se u kishte ofruar para dhe fotografinë e vrasësit të Hekuranit në këmbim të pranimit të Sali Berishës në ngushëllim në shtëpi. Pas vrasjeve, Sali Berisha po tentonte të akuzonte Edi Ramën.

“Më 23 janar 2011, në orën 11:30 të natës, na erdhi në shtëpi, piu edhe kafe. La edhe një 10 mijë lekësh. Pasi doli në rrugë kërkoi të bisedonte me mua dhe me vëllain e madh. Ishte dhe vëllai i vogël aty. Na premtoi një shumë lekësh: ‘Prisni Berishën. Pranoni Kryeministrin, pasi keni një shumë parash, që i kam mbajtur në valixhe dhe do ju tregoj fotografinë që ka qëlluar mbi Hekuranin”, ka deklaruar Hilmi Dedën, vëllai i Hekuran Dedës.

Nga ana tjetër, Skeja mohoi që të ishte investuar në këtë ndërmjetësim. Fatos Skeja paditi Hilmi Dedën në gjykatë për shpifje. Gjykata e Shkallës së Parë e pranoi padinë dhe gjobiti Hilmi Dedën, i cili kishte humbur vëllanë në protestën e 21 Janarit. Por, ky vendim u rrëzua nga Gjykata e Apelit.

Pas ardhjes së socialistëve në pushtet, në tetor viti 2013, Saimir Tahiri, në atë kohë ministër i Brendshëm, shkarkoi nga detyra Fatos Skejën, si gardist në Gardën e Republikës. Skeja ishte ndërkohë nën hetim që në gusht nga prokuroria për gjobëvënie.

Pesë vjet më vonë, në vitin 2018, rezulton se përmbaruesja Evelina Bekteshi, përfaqësuese Fatos Skejës ka marrë shumën 369,280 lekë nga Garda e Republikës, fakt që konfirmon se Skeja e kishte fituar gjyqin në Apel, për largimin nga Garda me vendim të Tahirit./shqiptarja.com

o.j/dita