Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Ngjarja e Deçanit/ Lala: Autobusi qëndron ende në vendngjarje, janë zhvilluar kërkime me qen anti-eksplozivë

Në studion e emisionit “Pikat mbi I”, u diskutua masakra e Deçanit, ku një person i armatosur hapi zjarr drejt një autobusi me nxënës shkolle, duke shkaktuar 3 të vdekur dhe disa të plagosur.

Për analistin Artur Zheji, zbardhja e kësaj ngjarje duhet të jetë e një nevoje imediate, për arsye se vendi atje është në konflikt ndëretnik me serbët. Gazetarja Klodiana Lala nga ana tjetër, theksoi se deri më tani policia po heton shumë pista, por fakti që është vendosur një shpërblim i majmë për autorin dhe kërkimet në zonë me qen anti-eksploziv tregon sipas saj se ngjarja është më e thellë, se sa të dhënat që qëndrojnë në sipërfaqe.

Klodiana Lala: Deklarime zyrtare janë thjesht për të shkuar në linjën e tyre. Makina ka qëndruar në vendngjarje edhe të nesërmen. Mbaj mend se në orën 18:00 pasdite, kishte forca speciale të shumta në numër që kishin dhe qen anti-eksploziv që kanë bërë kontrollin e zonës. Nxënësit pretendojnë që ka qëlluar vetëm një person, ndërsa policia dyshon se ka pasur dhe bashkëpunëtorë. Fakti që u dha një shpërblim i majmë, tregon që policia po heton në detaje më të forta. Janë marrë pafund gjurmë gishtash, për të parë nëse ata persona janë skeduar më herët. Janë duke u marrë në pyetje dhjetëra banorë. Janë pyetur përfaqësues të fshatrave të tjera, ashtu janë duke u pyetur edhe stafi i mësuesve. Janë duke u kryer hetime të gjithanshme. Policia duhet të zbardhë këtë ngjarje. Nëse kjo nuk ndodh, autori i dyshuar duhet të marrë dënimin maksimal, por kjo duhet zbardhur sepse nëse le dyshime të hapura, mund të nxisë konfliktin mes kosovarëve dhe shtetasve të Serbisë. Dihet se konfliktet atje janë shumë të forta. Në këtë kuptim duhet zbardhur kjo ngjarja. Dëmshpërblimi është dhënë për të zbardhur çdo dyshim për çdo pistë. Edhe nëse është një krim në inate e sipër, kjo duhet sqaruar.

Artur Zheji: 
Lindin disa pyetje të cilat në mënyrë që populli që nuk ha barë, por argumente të jetë i pa dyzuar në lidhje me dorën vrastare se nga vjen dhe pse vrau? Pyetja e parë pse policia merr qenë anti-eksploziv. Që në nisjen e njësiteve për krehjen e zonës është menduar për të marrë qen anti-eksploziv. Menjëherë policia distancohet nga aktet terroriste. Po nga ana tjetër duhet të hedhë dritë për këtë ngjarje të rëndë. Unë mendoj se është hedhur kjo gjë për të mos patur konflikte etnike e për të mos shkuar në hakmarrje fisesh. Pse vendosen 20 mijë euro për informacion. Krimi është i rëndë, por është bombë me sahat të një konflikti ndër etnik. Sa më shpejtë të zbardhet kjo situatë, aq më mirë hiqet ajo kapsolla e dinamitit sepse është një zonë e minuar e gjitha ajo. Sfondi gjeopolitik i marrëdhënieve mes dy vendeve bëjnë që kjo pistë të jetë më e preferuar. A është policia e Kosovës duke fabrikuar një pistë alternative? Edhe mund të ndodhë. Ka shumë raste që janë gjetur vrasës, terroristë të rremë, për të mbyllur pistën e të vërtetës.

Klodiana Lala: Në rastin konkret mendoj se mes Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë konflikte ndër etnike do të thotë që kjo duhet zbardhur. Nuk ka dëshmitarë, nuk ka kamera sigurie, asnjë gjurmë të autorit të vrasjes, vetëm një përshkrim fizik të nxënësve. Duke qenë se janë të mitur, fëmijë, ka qenë natë, ka qenë shumë shi, ata nuk janë shumë të besueshëm për shkak të traumës që kanë kaluar. Pavarësisht të gjithave ajo që më ka bërë përshtypje është fakti që aty ka persona përgjegjës që dalin me zë e figurë, japin informacion aq sa mund të jepen dhe janë të kujdesshëm në qasjen ndaj publikut. Nga ana tjetër nëse këtu zyrtarët fshihen ose manipulojnë opinionin publik, në Kosovë, kur gazetari pyet, janë më të gatshëm për t’u përgjigjur në raport me autoritetet shqiptare.