TIRANË 9 tetor /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot ambasadorin e Vendeve të Ulëta të Holandës, Reinout Vos.

Ambasadori Vos e uroi Nikollën për zgjedhjen në  detyrën e lartë të kryetares së Kuvendit dhe  shprehu gatishmërinë e Parlamentit dhe Qeverisë së Vendeve të Ulëta (Holandës) për të zgjeruar e intensifikuar bashkëpunimin me Shqipërinë.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, i uroi Ambasadori Vos suksese në mandatin e tij të ri dhe shprehu vlerësimin për marrëdhëniet e mira politike dypalëshe si edhe interesin për të intensifikuar më tej dialogun politik, përmes takimeve bilaterale në nivele të ndryshme.

Nikolla shprehu gjithashtu mirënjohjen për ndihmën që Vendet e Ulëta  (Holanda) i kanë dhënë Shqipërisë  për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019, përballimin e pasojave të pandemisë Covid-19 si edhe në shuarjen e zjarreve të rënda pyjore në Shqipëri gjatë verës që kaloi.

Po ashtu, Nikolla shprehu mirënjohjen për qëndrimin e Parlamentit dhe Qeverisë së Vendeve të Ulëta (Holandës) ndaj çeljes së negociatave me Shqipërinë.

“Qëndrimi strict and fair në raport me rrugëtimin e vendeve kandidate dhe mbështetja e qartë dhe e vendosur e Vendeve të Ulëta për çeljen e negociatave dhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Qeveritare me Shqipërinë, konfirmojnë progresin e padiskutueshëm që ne kemi bërë në procesin e integrimit evropian. Përkushtimi ynë për rrugën drejt Bashkimit Evropian është i palëkundur, agjenda e reformave mbetet prioriteti ynë kryesor në këtë proces”, vuri në dukje kryeparlamentarja Nikolla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.