Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Nikolla priti ambasadorin ukrainas: Zgjerim i bashkëpunimit ekonomik

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti ambasadorin e Ukrainës, Volodymyr Shkurov.

Ambasadori Shkurov e uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e kryetares së Kuvendit dhe i përcolli gjithashtu urimet e kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, si edhe e garantoi për vullnetin e Ukrainës për intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh me Shqipërinë.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, vlerësoi marrëdhëniet e mira e miqësore midis Shqipërisë dhe Ukrainës dhe vuri në dukje interesin e Shqipërisë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Kësaj do t’i shërbente edhe mbajtja e Sesionit të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, për të nxitur shkëmbimet tregtare midis të dy vendeve dhe sidomos turizmin, si një mundësi e madhe  që ka rritur kontaktet mes popujve tanë.

Nikolla vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin midis të dy vendeve  në nismat shumëpalëshe dhe mbështetjen e kandidaturave respektive.

Nikolla vlerësoi edhe kontributin e Ukrainës në misionet e NATO-s në vende të ndryshme të botës dhe rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për aspiratën e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO e BE, për të kontribuar në ndërtimin e një hapësire të qëndrueshme e të sigurt euroatlantike.

Ajo shtoi se, intensifikimi dhe zgjerimi i bashkëpunimit parlamentar do t’i shërbejë forcimit e zgjerimit të marrëdhënieve midis të dy vendeve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.