Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Nipi i Adem Jasharit emërohet komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka emëruar gjeneralmajor Bashkim Jasharin si komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Bashkim Jashari është i biri i Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari.

Në një komunikatë për media, Zyra e Presidencës ka thënë të martën, 30 nëntor, se emërimi i tij është bërë pas propozimit të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe rekomandimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Paraprakisht, Osmani ka liruar nga detyra komandantin e deritanishëm, Rrahman Rama, i cili është thënë të ketë dhënë dorëheqjen nga ajo pozitë.

Pas emërimit, në Ministrinë e Mbrojtjes është kryer procedura e pranim-dorëzimit të detyrës. Më herët, Bashkim Jashari ka qenë shef i Inspektoratit të FSK-së.

Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që ka rezultuar me pavarësinë e Kosovës.

Kjo Forcë është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s. Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për të ndryshuar mandatin e FSK-së.

Përgjegjësitë e reja kanë të bëjnë me ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, qytetarëve, pronave dhe interesave të Republikës së Kosovës, si dhe mbështetje ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacionet ndërkombëtare.

j.l./ dita