Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

“Nuk kam fjetur, vjen erë e keqe” – 30 shtëpi në Strugë janë përmbytur pasi shiu ka vërshuar kanalizimet

Gazetar: Miki Trajkovski

Tridhjetë shtëpi dhe oborre në Strugë janë përmbytur. Përmbytja është shkaktuar nga shiu dhe kanalizimet jofunksionale, shkruan Alsat.

Uji në dhoma arrin deri në 20 centimetra, ndaj banorët po tentojnë ta largojnë me pompa elektrike.

“Kur bie shi kemi gjithmonë probleme. Oborret tona janë të mbushura me ujëra fekale. Kjo për shkak se kanalizimi nuk funksionon. Gjatë gjithë verës kanalizimet nuk kanë funksionuar dhe pusetat janë mbushur me fekale. Vjen erë e keqe, nuk rrihet, i kemi nxjerrë të gjithë frigoriferët, gjërat e tjera dhe orenditë. Dhe nuk mund të jetohet”, thotë një banor i Strugës.

“Deri në orën 4 të mëngjesit vajzat e kanë nxjerrë ujin, nuk kam fjetur, vjen shumë erë e keqe, del kanalizimi”, u shpreh një banor tjetër.

Rruga Partizanska, e cila është rikonstruktuar para zgjedhjeve lokale dhe që të shpien në dalje të Strugës, është e gjitha në ujë pas çdo shiu të dendur.

“Ndryshe nga dokumentacioni i projektit në vend, rruga është ndërtuar me pjerrësi dyanëshe, pa u ndërtuar fare kullim, vetëm për asfaltim janë shpenzuar rreth 300 mijë euro, ndoshta vetëqeverisja lokale ka nxituar të vendosë në përdorim pavarësisht nga cilësia dhe pasojat afatgjate”, tha për Alsat, Alen Dereban nga VMRO- DPMNE në Strugë.

Nga Komuna e Strugës nuk tregojnë se kur do t’i rregullojnë lëshimet apo nëse do të pastrohet kanalizimi, i cili sipas banorëve nuk është pastruar që kur është ndërtuar./ Alsat.mk