TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot sekretarin e përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, (PABSEC), Asaf Hajiyev.

Gjatë takimit kryeparlamentarja Nikolla tha se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një anëtare aktive e PABSEC.

“Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet një anëtare aktive e PABSEC. Kuvendi i Shqipërisë ka marrë pjesë rregullisht në të gjitha veprimtaritë e Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi. Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi i Kuvendit me PABSEC është një kontribut për zhvillimin, bashkëpunimin, paqen dhe sigurinë në rajonin e Detit të Zi, një mozaik popujsh me kombësi, besime, kultura të ndryshme, por qëllime të përbashkëta: mirëqenie, zhvillim, prosperitet, stabilitet e paqe në rajon e me gjerë”, tha Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

Hajiyev e uroi Nikollën për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Shqipërisë dhe e garantoi për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit të PABSEC dhe të vendeve anëtare me Kuvendin e Shqipërisë.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.