Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Paketa antishpifje, Rama: Qeveria nuk e ka çuar para procesin

TIRANË, 20 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ishte dakord me gjetjet në progresraportin e vitit 2021 për lirinë e medies, në të cilin thuhej se Shqipëria është e përgatitur mesatarisht në fushën e lirisë së shprehjes dhe se nuk ka pasur përparim gjatë periudhës raportuese.

“Pyetja për lirinë e medies, është një mundësi shumë e mirë për të thënë se si ne duhet të adoptohemi në përpjekjen që të bëhemi pjesë e kësaj familje. Unë nuk jam dakord personalisht as me atë që thotë raporti, as me idenë që këtu liria e medies është në pikëpyetje”, – tha Rama.

Për Kryeministrin Rama, nëse ka një vend që mund të thuash çfarë të duash e nuk të hyn “gjemb në këmbë“, e mund të shkosh përtej kufijve të imagjinatës, ky vend, sipas tij, quhet Shqipëri.

Por nga ana tjetër, Rama nënvizoi se pavarësisht se nuk ishte dakord, “ishte përgjegjësia e tij dhe e jonë në tërësi të kuptojmë që në këtë familje ka disa koncepte, disa mënyra të të parit të gjërave që duhet t’i bëjmë tonat”.

“Unë e kam filluar nga vetja, të paktën në progresraportin e 2021-it nuk kam dhënë ndonjë kontribut duke kthyer përgjigje, siç unë i mendoj. Më vijnë prapë, por nuk i nxjerr më nga goja me ju. Nuk e kam bërë më parë për t’u vënë në pozitë të vështirë, as me idenë që tu kërcas dhëmbët si i pari i punës, por thjesht si një individ që vjen nga aty ku keni qenë ju e që ndihet në të drejtën e vet që të kthejë përgjigje njëlloj sikur të isha një nga ju, por duke harruar që më takon mua që të shtrëngoj dhëmbët”, – tha Rama.

I pyetur për paketën e “antishpifjes”, Rama deklaroi se qeveria nuk e ka çuar përpara procesin. “Se për çfarë është shqetësimi, kur ai nuk ekziston?”, shtroi kryeministri pyetjen.
Rama po ashtu theksoi se qeveria nuk ka asnjë ndikim apo komunikim as me televizionin publik shqiptar.

“Nëse më thoni për pavarësinë e TVSH-së, nuk e di kur ka qenë në histori më i pavarur. S’ka asnjë ndikim, as komunikim mes nesh e tyre”, – u shpreh Rama.

Më tej Kryeministri tha se, në këtë situatë qeveria dëgjon dhe adoptohet

“Ne dëgjojmë, adoptohemi, është një proces. Sa më takon mua, liria e shpifjes është në nivelin më të lartë. Nuk ekziston një liri e tillë shpifjeje mendoj unë në asnjë nga vendet. Liria e shpifjes në Shqipëri është në nivelin më të lartë. A është kjo liri e medies!? Nuk më duket, por do të adoptohemi. Nuk kemi dy rrugë, sepse qëllimi ynë është të hyjmë në këtë familje. Ne nuk mund të themi po kur na pëlqen dhe jo, jemi sovran, kur s’na pëlqen. Jo! Ne jemi sovranë, por vendimi për të hyrë në këtë familje është vendim sovran i gjithë shqiptarëve. Nuk mund të proklamojmë sovranitet individual, apo t’i bëjmë thirrje sovranit kur nuk na pëlqen, për interesa personale, politike etj. Unë personalisht nuk më pëlqen qasja e tyre në raport me situatën e shpifjes në Shqipëri, por…”, deklaroi Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.