PARIS, 9 tetor /ATSH-DPA/ – Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) njoftoi miratimi nga 136 vende të një marrëveshjeje historike që përcakton një normë minimale globale të taksës për korporatat.

“Marrëveshja e sotme do t’i bëjë aranzhimet tona ndërkombëtare të taksave më të drejta dhe do të funksionojnë më mirë”, tha Mathias Cormann, sekretari i përgjithshëm i OECD-së në Paris, në një deklaratë.

“Kjo është një fitore e madhe për multilateralizmin efektiv dhe të balancuar. Është një marrëveshje me arritje të madhe, që siguron që sistemi ynë ndërkombëtar i taksave të jetë i përshtatshëm për qëllimin e një ekonomie botërore të dixhitalizuar dhe të globalizuar”, shtoi ai.

Sipas marrëveshjes, vendet do të vendosin një taksë minimale prej 15 për qind mbi korporatat shumëkombëshe, një rishikim i madh i rregullave ekzistuese që janë kritikuar prej kohësh si inkurajim për evazionin fiskal.

Korporatat ndërkombëtare janë vënë nën kritika të shumta për përdorimin e mjeteve ligjore për të zhvendosur fitimet në të gjithë globin, në mënyrë që të paguajnë sa më pak taksa./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.