TIRANË 13 tetor /ATSH-I.Vata/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Holandës, Reinout Vos.

Spiropali thekson se “i shpreha mirënjohjen ambasadorit për mbështetjen që Parlamenti i Holandës i dha Shqipërisë për zhvillimin e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, si dëshmi e pakundërshtueshme e progresit tonë drejt integrimit”.

“Biseduam me ambasadorin për thellim të bashkëpunimit institucional mes dy qeverive tona edhe në nivel teknik, për shkëmbimin e praktikave më të mira në forcimin e ligjit dhe betejën e përbashkët kundër krimit, si dhe për projekte të përfshirjes së shoqërisë civile në konsultimet publike për adresimin e çështjeve me interes të lartë qytetar në Kuvendin e Shqipërisë. E falenderova ambasadorin në emër të qeverisë shqiptare për gjithë ndihmesën e dhënë nga qeveria e Holandës në momente të vështira për Shqipërinë, siç ishte tërmeti dhe situata e shkaktuar nga zjarret”, tha ajo.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.