TIRANË, 27 tetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Lefter Geshtenja deklaroi sot se qeveria nuk ka asnjë plan për rrugët, ndonëse sipas tij, financimi nuk ka munguar.

“Dje në komision u diskutua për ratifikimin e marrëveshjes me qeverinë italiane për financimin e dy projekteve shumë të rëndësishme për qarkun e Elbasanit, hartimi i projekt-zbatimit final për bajpasin e Elbasanit dhe autostradës Elbasan-Qukës. Në këto projekte kam qenë pjesë e ideimit dhe hartimit të tyre që para 10 vitesh, por ende kjo qeveri nuk ka nisur nga zbatimi i tyre”, tha ai.

Më tej, ai theksoi se edhe projekte të nisura si ai i Qafë-Plloçë-Qukës dhe Librazhd-Bulqizë nuk kanë përfunduar ende.

“Qeveria po mban zvarrë ndërtimin e rrugëve në qarkun e Elbasanit dhe nuk ka ndërmend të japë afate për projektet. Shqipëria e ka emergjente zhvillimin e infrastrukturës, por fatkeqësisht me këtë qeveri nuk është ndërtuar asnjë projekt madhor”, shtoi Geshtenja. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.