TIRANË, 18 tetor/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Evropian në vendin tonë, Luigi Soreca takoi sot ministren e re të Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Soreca deklaroi se në fokus të bisedës ishte axhenda e reformave dhe përmirësimi i klimës së biznesit në Shqipëri.

Ambasadorit Soreca tha se e kishte inkurajuar ministren të ketë fokus të lartë në veprimet kundër pastrimit të parave, si prioritet vendimtar në procesin e pranimit në Bashkimin Evropian.

“Takimi i parë zyrtar sot me ministren e sapoemëruar të Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj. Ndërsa Shqipëria po tregon shenjat e para të rimëkëmbjes, është thelbësore të dyfishohen përpjekjet për të çuar përpara agjendën e reformave dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në Shqipëri. Inkurajova ministren të ketë fokus të lartë në veprimet kundër pastrimit të parave, prioritet vendimtar në procesin e pranimit në BE. Thelbësore të përmbushen angazhimet për ndihmën makro-financiare prej 180 milion eurosh, dhe për të luajtur plotësisht rolin kryesor të Ministrisë në mbështetjen buxhetore dhe koordinimin e donatorëve”, u shpreh ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.