Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Piktorët e rinj i hapin garë ngjyrave të vjeshtës

TIRANË 27 tetor /ATSH-I.Vata/ Vjeshta në Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” ka entuziazmuar piktorët e rinj të Shkollës së Mesme Artistike “Onufri” në Elbasan t’i hapin garën e ngjyrave.

Administrata rajonale e Zonave të Mbrojtura Elbasan informoi se piktorët e rinj po pikturojnë peizazhe të Parkut Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë.

“Vjeshta në natyrë apo në pikturë? Profesor i artit figurativ G.Llalla së bashku me nxënës të shkollës së mesme artistike Onufri Elbasan, shoqëruar edhe nga piktori S. Roçi duke pikturuar natyrën në Parkun Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë”. Ndryshe nga stinët e tjera, vjeshta është befasuese me ngjyrat e saj”, thuhet në njoftim.

Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” është një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj, por në stinën e vjeshtës është magjik.

Kolori i ngjyrave të ngrohta në të verdha të arta dhe të kuqërremta, përbëjnë magjinë e një dekori natyror të paarritshëm edhe nga vetë piktorët.

Parku Kombëtar “Shebenik-Jabllanicë” ka një florë dhe faunë të jashtëzakonshme dhe bukuri marramendëse.

Parku Kombëtar i ekosistemit Shebenik – Jabllanicë shtrihet në verilindje të vendit tonë, në kufijtë e administrimit pyjor të Librazhdit dhe ka sipërfaqe të përgjithshme prej 33 927,66 ha, ku pjesën kryesore e zënë pyjet, pastaj kullotat, tokat bujqësore dhe ato joprodhuese, shkëmbore, si dhe trojet. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.