Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Policia shton kontrollet gjatë fundjavës dhe iu tërheq vëmendjen shoferëve: Tregoni kujdes!

Policia e Shtetit vijon kontrollet dhe monitorimin e qarkullimit të automjeteve, duke përdorur makinën inteligjente, radarë, dronë, mjete të pauniformuara, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues.

Gjatë fundjavës, shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”, do të intensifikojnë kontrollet në të gjitha akset nacionale, qendrat urbane dhe akset kryesore rurale që lidhin qendrat administrative me qytetet, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 540 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë. Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve permanente janë evidentuar dhe ndëshkuar 985 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.