TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit u sekuestroi pasuri në vlerën prej 150 mijë eurosh dy vëllezërve me precedent penal në fushën e krimeve ndaj jetës.

“U vendos sekuestro ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasve A. L. 30 vjeç, dhe O. L, 30 vjeç, vëllezër), me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj jetës. Nga të dhënat e marra shtetasi A. L, është arrestuar në Spanjë në 2018 pasi akuzohet për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”, e kryer në bashkëpunim. Ndërsa shtetasi O. L, është nën hetim nga autoritetet Spanjolle për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur dhe “Shfrytëzim i prostitucionit. Gjithashtu, në zbatim të këtij procedimi si dhe vendimit të Prokurorit u bë sekuestrimi i pasurive të shtetasve të lartpërmendur dhe familjarëve të tyre që arrijnë vlerën 150.000 euro”, informoi Policia.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.