Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Praktika e detyruar, afatet e regjistrimit për infermierët e rinj

Pranvera Kola

Para se të konkurojnë për lejen e ushtrimit të profesionit, të gjithë të diplomuarit së fundmi në profilet e shkencave mjekësore teknike, duhet që të kryejnë praktikën e detyrueshme profesionale. Për shkak të gjendjes së krijuar si pasojë e pandemisë së Covid-19, regjistrimet për praktikën 3-mujore me mbikqyrje do të zhvillohen në strukturat rajonale të Urdhrit të Infermierit në çdo rreth të vendit.

Autoritetet e Urdhrit të Infermierit kanë përcaktuar tashmë datat e pranimit të dosjeve për secilin kandidat që do t’i nënshtrohen praktikës me mbikëqyrje në profilin e infermierit të përgjithshëm, fizioterapisë, logopedisë, teknikës së imazherisë dhe laboratorit, si dhe mami.

“Të gjithë kandidatëve që do të aplikojnë për të ndjekur praktikën profesionale 3-mujore me mbikëqyrje ju bëjmë me dije se regjistrimet do të bëhen pranë vendbanimit ku ata jetojnë (kjo për shkak të pandemisë) ndërmjet datave 1-14 dhjetor prej orës 09.00-12.00. Në datat 1 dhe 2 dhjetor do të bëhet regjistrimi për fizioterapistët, për të vijuar më tej në datën 3 dhjetor ku regjsitrimi do të vazhdojë me kandidatët e logopedisë dhe mami, në datat 6 dhe 7 dhjetor me kandidatët e profileve teknik imazherie dhe teknik laboratori. Ndërsa në datat 9-14 dhjetor regjistrimi do të vijojë me kandidatët që janë të profilit infermieri”, sqarojnë autoritetet e Urdhërit të Infermierit.
Sipas tyre në dosjen e regjistrimit çdo kandidat duhet që të përfshijë: kartelën e plotësuar sipas formatit të përcaktuar, kërkesën e antarësimit të plotësuar me shkrim dore po sipas formatit të përcaktuar, diplomën dhe listën e notave të noterizuar. Në mungesë të diplomës mund të dorëzoni një vërtetim të marrë nga universiteti që keni ndjekur ku të konfirmohet përfundimi me sukses i studimeve universitare. Pjesë të dosjes duhet të bëni edhe një CV, fotokopje të Kartës së Identitetit ose Pasaportës, 6 fotografi dokumenti (me veshje serioze), si dhe mandat pagesë në llogari të Urdhrit të Infermierit prej 3 000 lekësh të cilën duhet ta shlyeni në një nga bankat e nivelit të dytë të përcaktuara.

Autoritetet e këtij urdhri sqarojnë se gjatë paraqitjes për dorëzimin e dokumentacionit të kërkuar, kandidati duhet të ketë parasysh të zbatojë rregullat e vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale sa i takon mbrojtjes nga Covid-19, ku duhet të paraqitet pranë zyrave rajonale të urdhrit i pajisur me masat mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, si dhe të zbatojë ruajtjen e distancës sociale 1.5-2 metra nga kandidatët e tjerë.

Pas dorëzimit të dosjes kandidatët do të pajisen me librezën e praktikës profesionale që përmban informacion të përgjithshëm për Urdhrin e Infermierit të Shqipërisë, për temat që do të përgatitet për zhvillimin e provimit të praktikës profesionale dhe ku do të bëj plotësime për praktikën që do të zhvilloj me mbikëqyrësin. Po ashtu do të pajiseni edhe me Kartën e Identifikimit të praktikës profesionale, të cilën praktikanti duhet ta ketë gjatë ushtrimit të praktikës profesionale me mbikqyrje. Në përfundim të praktikës, secili kandidat duhet të kalojë edhe testimin final, rezultatet pozitive të të cilit i hapin udhë vijimit të procedurave për dhënien e provimit të shtetit, nëpërmjet të cilit merret edhe leja e ushtrimit të profesionit.

Afatet e regjistrimit për çdo specialitet
• Në datat 1-2 dhjetor duhet të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë kandidatët e diplomuar në Fizioterapi.
• Në datën 3 dhjetor duhet të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë kandidatët e diplomuar në Logopedi dhe Mami.
• Në datat 6-7 dhjetor duhet të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë kandidatët e diplomuar në Teknik Imazherie dhe Teknik Laboratori.
• Në datat 9-14 dhjetor duhet të paraqiten për të dorëzuar dosjet e tyre të gjithë kandidatët e diplomuar në Infermieri e Përgjithshme.

Në dosjen e regjistrimit duhet të përfshini:
• Kartelën e plotësuar sipas formatit të përcaktuar.
• Kërkesë antarësimi, me shkrim dore sipas modelit të përcaktuar.
• Diplomën dhe listën e notave të noterizuar. Në mungesë të diplomës kërkohet një vërtetim nga Universiteti.
• CV si dhe fotokopje të Kartës së Identitetit ose Pasaportës.
• 6 fotografi dokumenti (me veshje serioze).
• Mandat pagesë në llogari të UISH-së prej 3 000 lekësh në një nga bankat e nivelit të dytë të përcaktuara.