TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Moti i keq, shoqëruar me reshje shiu, stuhi erë dhe borë, ka sjellë pasoja në rrjetin elektrik, sidomos gjatë natës, duke u gdhirë dita e sotme.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) bën të ditur se probleme janë shfaqur në zonat rurale, të cilat furnizohen me rrjet ajror dhe gjatësi dhjetëra km.

“Afro 95 e defekteve janë shfaqur në fshatra, zona të thella, ku me rënien e borës dhe shpejtësinë e erës deri në 150 km, kanë sjellë defekte në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët. Nga raportimi i orës 12:00 rezulton se kemi përmirësim në të gjitha rajonet e vendit, në masën 80% dhe rikuperim të defekteve brenda 2 orësh me normalizimin e motit”, bën të ditur OSSH.

Sipas OSSH-së, problem mbeten rajoni i Dibrës ku në disa zona bora arrin 60 cm dhe në Vlorë prej stuhisë me erë të fortë, etj.

OSSH informon se brigadat ndodhen në gatishmëri të plotë prej më shumë se 3 ditësh, dhe puna është organizuar duke perforcuar zonat e caktuara me stafe shtesë dhe bazë materiale.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.