Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Prodhonin kriptomonedha, në kërkim pronari i laboratorit në Krujë

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, u zbulua dhe u sekuestrua një laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave.

Policia procedoi penalisht pronarin e ambientit, që ia kishte lëshuar me qira një personi tjetër.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personit që kishte ndërtuar laboratorin, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Kriptomonedha”, në katin e parë të një objekti në pronësi të shtetasit S. D., i cili ia kishte lëshuar këtë ambient me qira një personi tjetër, shërbimet e Policisë konstatuan një laborator që shërbente për prodhimin e kriptomonedhave.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 pajisje elektronike për prodhimin e kriptomonedhave. Gjithashtu, në këtë banesë u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Shtetasi S. D. është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës.

Strukturat hetimore të DVP Durrës dhe të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin e personit që ka marrë me qira këtë ambient, si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.