Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Pse Buckingham Palace e mbajti sekret hospitalizimin e mbretëreshës?

LONDËR, 28 tetor /ATSH/ – Kur Buckingham Palace njoftoi se mbretëresha Elizabeth do të hiqte dorë nga një udhëtim në Irlandën e Veriut për shkak të këshillave mjekësore, kjo nuk tingëllonte domosdoshmërisht si një shkak për alarm, shkruan faqja vanityfair.it.

Pasi priti liderët botërorë në Windsor, mbretëresha Elizabeth u pa në një makinë me qentë e saj.

Vetëm të nesërmen, kur gazeta ”Sun” dha lajmin se mbretëresha kishte kaluar natën e së mërkurës së 20 tetorit në spitalin ”Mbreti Edward VIII” në Londër, shpërtheu paniku mes vëzhguesve mbretërorë në mbarë botën.

Në një deklaratë mbrëmjen e së enjtes, Pallati konfirmoi se mbretëresha ishte në spital, por nuk dha informacione të mëtejshme për gjendjen e saj shëndetësore.

”Pas këshillave mjekësore për të pushuar disa ditë, mbretëresha u shtrua në spital për disa kontrolle  paraprake, dhe u kthye në Windsor për drekë të nesërmen, në humor të mirë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Në mungesë të më shumë informacioneve zyrtare për statusin e saj, anëtarët e brendshëm mbretërorë kanë dalë përpara për të diskutuar shëndetin e mbretëreshës dhe planet e saj për t’u kthyer në detyrat mbretërore.

Së pari, ”The Sun” vuri në dukje se mbretëresha kishte anashkaluar gjithashtu meshën e së dielës .

Sipas burimeve të brendshme ajo po pushonte për të qenë në formën më të mirë për Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgou javën e ardhshme.

Por më pas erdhi lajmi se nuk do të jetë aty.

Burime serioze dhanë shpjegime të ndryshme për shtrimin e saj në spital, duke përfshirë orarin e ngjeshur dhe prirjen e saj për të qëndruar deri vonë për të parë TV, duke përfshirë fitoren e Emma Raducanu në US Open muajin e kaluar, gjë që do ta kishte lënë atë “të rraskapitur”.

Një tjetër burim mbretëror zbuloi se Madhëria e Saj miratoi një orar të ngjeshur pas vdekjes së princit Philip, me “një lumë të vazhdueshme drekash dhe darkash me familjen dhe miqtë, sepse ajo nuk dëshiron të hajë vetëm”.

Një burim i afërt me mbretëreshën e siguroi gazetën se “ajo është mirë, por ka nevojë për pushim”.

Nuk është e pazakontë që Buckingham Palace të heshtë për informacionin mjekësor privat të mbretëreshës, por vendimi për të mos informuar shtypin për natën e saj në spital, që mendohet të jetë vetëm e pesta në katër dekadat e fundit, ka alarmuar opinionin publik.

Qëndrimi i fundit i mbretëreshës në spital daton në vitin 2013, kur ajo u trajtua në të njëjtin spital për një virus në stomak./  /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.