Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Puka turistike e mbuluar me vellon e bardhë të dëborës

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Qyteti i Pukës, 145 km nga Tirana, u mbulua sot nga reshjet e dëborës duke ofruar një pamje magjepsëse.

Flokët e dëborës kanë mbuluar gjithçka, duke ofruar një pamje magjepsëse, ku kombinohen mjaft bukur liqeni dhe malet e mbuluar nga bora.

Kryeministri Edi Rama ndau sot disa pamje nga peizazhet e bukura të qytetit verior.

“Puka turistike e mbuluar me vellon e bardhë më e bukur se asnjëherë”, shprehet Rama.

Liqeni i qytetit është sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.

Puka, në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana, mbetet e preferuara e  adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra. Kjo qytezë alpine mbart në vete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj.

Po ashtu Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vetitë kurative të pishës janë të shumta. Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizmit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe mali i Krrabit./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.