Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Qasje sistemike për fuqizimin e sigurisë ushqimore në Ballkanin Perëndimor

TIRANË 29 nëntor /ATSH-I.Vata/ Sfidat aktuale me të cilat përballet prodhimi, tregtia dhe konsumi i sigurtë i ushqimit kërkojnë një përgjigje më efikase ndaj incidenteve të sigurisë ushqimore, për t’iu përshtatur më mirë kërkesave dhe nevojave me të cilat ndeshen sot shtetet. Është jetike pasi, kur bëhet fjalë për konsumatorin, e vetmja gjë që ka rëndësi është që ushqimi që konsumojmë të jetë i sigurt dhe i ushqyeshëm.

Për këtë qëllim, në një aktivitet trajnimi dyditor për sigurinë ushqimore u mblodhën së bashku në Durrës përfaqësues të këtij sektori në Ballkanin Perëndimor për të diskutuar rreth mënyrave të përmirësimit të sigurisë ushqimore dhe ndërmarrjen e nismave të duhura për parandalimin e sëmundjeve dhe për nxitjen e bashkëpunimit ndërsektorial për përmirësimin e sigurisë ushqimore.

Me mbështetjen e OBSH-së dhe ndihmën financiare të BE-së, 25 pjesëmarrës nga 6 vende të rajonit Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Durrës më 25–26 nëntor 2021 për të punuar për fuqizimin e kapaciteteve të tyre thelbësore për parandalimin, zbulimin dhe përgjigjen ndaj kërcënimeve të shëndetit publik që lidhen me ushqimin e pasigurt.

Në fjalën e saj në këtë takim, Dr. Eugena Tomini, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, theksoi se në kuadrin e sistemeve të qëndrueshme ushqimore, “është shumë e rëndësishme që të forcohen kapacitetet në Ballkanin Perëndimor lidhur me epidemiologjinë, parandalimin dhe kontrollin e patogjenëve që vijnë nga ushqimi, duke u përqendruar në komunikimin e rrezikut, rezistencën antimikrobike dhe perspektivën e qasjes ‘Një shëndet’.”

Me pjesëmarrjen në aktivitete të tilla si ky seminar, shtoi ajo, menaxherët e programeve kombëtare të sigurisë ushqimore dhe përfaqësuesit e tjerë qeveritarë të përfshirë në përgjigjen emergjente të sigurisë ushqimore, familjarizohen me instrumentet e analizës së rrezikut duke u njohur edhe me zbatimin në praktikë të këtyre modeleve për hetimin dhe reagimin ndaj ushqimit dhe emergjencave të sigurisë.

Teksa pandemia e COVID-19 duket se ka nxjerrë në pah dobësi sistemike pothuajse për të gjithë vendet tona, për Dr. Gerald Rockenschaub, Përfaqësues i OBSh-së dhe Drejtues i Zyrës në Shqipëri, është e rëndësishme që të shfrytëzojmë këto mundësi për fuqizimin e sistemeve tona për t’iu përgjigjur më mirë çdo emergjence dhe krizave të ardhshme.

“Një nga ato emergjenca të cilave duhet t’i kushtojmë vëmendje të veçantë, është siguria e ushqimit,” tha ai, duke shtuar se rekomandimet e Raportit Monti për rimëkëmbjen nga pandemia e koronavirusit “theksojnë qartësisht se nisma ‘Një Shëndet’ është qasja e duhur për të ecur përpara,” që do të thotë se ne duhet t’i trajtojmë së bashku çështjet e shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit, dhe në këtë mënyrë, “t’i forcojmë sistemet tona me qëllim menaxhimin më të mirë dhe parandalimin e emergjencave që mund të ndodhin në të ardhmen.”

Dr. Abebayehu Assefa Mengistu, koordinator i Qendrës Ballkanike të Emergjencave të Zyrës Rajonale të OBSh-së për Europën, theksoi se siguria ushqimore është një çështje ndërkufitare, dhe si e tillë, ka nevojë për përmirësimin e procedurave dhe praktikave të hetimit e përgjigjes ndaj incidenteve dhe emergjencave të sigurisë ushqimore në rajonin e Ballkanit Perëndimor. “Nuk ka garanci pa siguri ushqimore”, theksoi ai, duke paralajmëruar se përveç transmetimit të më shumë se 200 sëmundjeve përmes ushqimit, çështja e sigurisë ushqimore mund të ndikojë edhe në ekonominë e rajonit.

Trajnime të tilla janë krijuar për të ndihmuar sektorët e shëndetit publik, sigurisë ushqimore dhe veterinare të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë përfaqësuesit e ministrive të shëndetësisë dhe bujqësisë, për t’u njohur dhe mësuar më shumë rreth mjeteve të analizës së rrezikut, procedurave standarde të funksionimit, udhëzimeve, protokolleve dhe udhëzuesve që ndihmojnë në përgjigjen e efektshme ndaj sëmundjeve që vijnë nga ushqimi, komunikimin dhe shkëmbimin e informacione, tha Dr Mengistu.

Seminari e vuri theksin në bashkërendimin ndërsektorial, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit, dhe sinergjinë e rolit që siguria ushqimore dhe bujqësore ka për shëndetin publik. Folësit ishin ekspertë nga Rrjeti i Autoriteteve Ndërkombëtare të Sigurisë Ushqimore FAO/OBSh (INFOSAN), Zyra Rajonale e OBSh-së për Europën dhe autoritetet kombëtare.

Çdo vit, vetëm në Europë dhe Azinë Qendrore, mbi 23 milionë njerëz sëmuren nga sëmundje të shkaktuara nga ushqimi, duke rënduar më së shumti të varfrit dhe të rinjtë. Përveç kësaj, sëmundjet e shkaktuara nga ushqimi janë përgjegjëse për 5 000 vdekje të parandalueshme çdo vit.

Ushqimi i pasigurt përmban baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të dëmshme që mund të shkaktojë më shumë se 200 sëmundje të ndryshme – duke filluar nga diarreja e deri te kanceret. Në mbarë botën, rreth 600 milionë – pothuajse 1 në 10 njerëz – sëmuren pasi hanë ushqim të kontaminuar çdo vit, duke rezultuar në 420 000 vdekje. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.