Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Regjistri kombëtar i të dënuarve për krime seksuale, Xhixho takim me Avokaten e Popullit

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Deputetja e LSI, Erisa Xhixho, zhvilloi një takim me Avokaten e Popullit, Erinda Ballanca.

Në qendër të takimit ishte nisma e ndërmarrë nga deputetja Xhixho së bashku me CRCA/ECPAT-n në Shqipëri për “Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për Krime Seksuale”.

Xhixho theksoi se kjo nismë duhet të diskutohet sa më parë në Komisionet Parlamentare.

“Takim shumë i frytshëm me Avokaten e Popullit me të cilën na bashkon mbrojtja e të drejtave të njeriut në vendin tonë të cilat janë ende shumë larg standardeve evropiane dhe demokratike. Pata mundësinë të prezantoja nismën e ndërmarrë nga unë sëbashku me CRCA/ECPAT-n në Shqipëri për “Regjistrin Kombëtar të të dënuarve për Krime Seksuale” e cila duhet të diskutohet sa më parë në Komisionet Parlamentare’, u shpreh Xhixho në një reagim .

“Pres me shumë interes komentet mbi pr/ligjin nga institucioni i avokatit të popullit në mënyrë që ligji të jetë sa më në përputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe gjithë kuadrit ligjor që mbron të drejtat e njeriut në dobi të interesit publik”, theksoi Xhixho.

“Rëndësia e kontrollit parlamentar për të adresuar rekomandimet që jep ky institucion për të përmirësuar të drejtat e njeriut në vend dhe bashkëpunimi edhe me i madh me Kuvendin në ushtrimin e këtij detyrimi për të mos pasur ligje në letër, por mbi të gjitha për të siguruar zbatimin e tyre”, tha Xhixho.

“Gjatë takimit pata mundësinë të shoh edhe disa punime shumë të bukura të fëmijëve tanë që kanë shprehur mënyrën si i konceptojnë të drejtat e tyre në pikturë ku veçuam njërën prej tyre me titull “ Kam të drejtën të ëndërroj, të imagjinoj dhe të argëtohem” nga Bianka Xhiko nga qyteti i Burrelit”, u shpreh Xhixho.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.