Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Reshjet e dendura të shiut dhe era e fortë, pezullohet lundrimi detar në Vlorë

Si pasojë e motit të keq është pezulluar lundrimi detar për mjetet e vogla lundruese dhe peshkarexhat në Vlorë.

“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për datën 06.12.2021 do të jetë  në  drejtimin jug- jugperëndim në  forcën 4-5bft 08-10m/s brenda gjirit të Vlorës dhe jashtë gjirit të Vlorës në  forcën 6-7bft 10-17m/s me lartësi dallge nga 1.50  deri 2.50 metra. Përmirësimi i situatës meteorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë në datën 06.12.2021/16:00“, thuhet në njoftimin e Portit të Vlorës.

Edhe Bashkia e Vlorës ka njoftuar qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, duke theksuar se moti do të jetë i keq edhe për 2 ditët në vijim.

“Parashikimet e meteorologëve paralajmërojnë mot të keq prej pasdites së sotme 5 Dhjetor deri më 7 Dhjetor! Reshjet e shiut do të intensifikohen prej orës 18.00 e në vazhdim të shoqëruara dhe me stuhi te forta, për këtë arsye do t’ju luteshim të shmangni lëvizjet e panevojshme me automjete në akset problematike si dhe parkimin e automjeteve në to. Paralajmërimet e meteorologëve për furtuna kërkojnë të jemi të kujdesshëm! Për çdo nevojë urgjente kontaktoni me Shërbimet Publike të Bashkisë dhe Ujësjellës Kanalizime, ose në faqen tonë  zyrtare në “Facebook”. Kujdesuni për veten dhe familjet tuaja”, thuhet në apelin e Bashkisë.

Për shkak të motit të keq dhe erërave të forta, janë shkaktuar përmbytje në rrugë në disa zona të vendit si dhe ka pasur probleme me energjinë elektrike.

j.l./ dita