Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Reshjet e dendura, Vjosa dhe Shkumbini dalin nga shtrati dhe shkaktojnë përmbytje. Ministria e Mbrojtjes: Ja zonat më problematike, jemi në gatishmëri

Moti i keq ka shkaktuar problematika nga jugu në veri të vendit.

Lumi Vjosë dhe Shkumbin kanë dalë nga shtrati pasditen e sotme, si pasojë e reshjeve të dendura.

Në Elbasan njoftohet se si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, bashkia Elbasan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.

Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës.

Moti i keq përgjatë natës ka krijuar probleme edhe në Bashkinë e Gjirokastrës.

Konkretisht gjatë natës ka dalë nga shtrati përroi i Lënxës në fshatin Lazarat, duke krijuar probleme në qarkullimin e njerëzve dhe makinave që lidhin dy lagjet kryesore të këtij fshati.

Ndërsa problematike qëndron situata në aksin rural Kolonjë-Golem ku inertet e rëna nga lartësitë si pasojë e shirave, kanë krijuar bllokimin e rrugës.

Momentalisht banorët e Golemit gjenden të izoluar nga pjesa tjetër e vendit si rrjedhojë e kësaj situate.

Ndërkohë pa energji elektrike kanë mbetur disa fshatra të Njësive Administrative Cepo, Picar dhe Lazarat në Gjirokastër.

Si dhe një në fshatrat e Njësisë Administrative Lopës, Luftinjë e Buz në Tepelene e Memaliaj, si dhe fshatrat në Sukë, e Frasër në Përmet.

Moti i keq ka përfshirë edhe zonën e Lezhës ku ka pasur reshje të dendura breshëri. Në Kukës kanë nisur reshjet e para të borës, ndësa ka pasur edhe shembje gurësh.

Në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq, ka reaguar edhe Ministria e Mbrojtjes e cila bën me dije se si paraqitet situata në disa qarqe të vendit.

Qarku Tiranë

Prezencë uji ka pasur edhe në rrugën ‘5 Maji’ në Tiranë, ku janë rrezikuar disa banesa, ndërsa edhe rrugët e Don Boskos janë bllokuar nga uji duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Në vendin e quajtur Ura e Maqedonasit, bashkia Rrogozhinë, Lumi Shkumbin ka rritje të prurjeve dhe lumi ka filluar të dalë nga shtrati. Në vendngjarje kanë shkuar përfaqësues të bashkisë Rrogozhinë si dhe Prefekti i qarkut Tiranë, Afrim Qëndro. Situata po mbahet në monitorim.

Qarku Shkodër

Në Shkodër ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë- Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte.

Qarku Durrës

Në Qarkun e Durrësit si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë ka një fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit. Situata po monitorohet nga Prefekti i qarkut Durrës.

Qarku Dibër

Sakaq në Qarkun e Dibrës, në fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.

Qarku Elbasan

Në Qarkun e Elbasanit si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.

Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës. Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.

“Të gjitha strukturat, qoftë të pushtetit vendor, ashtu dhe ato qendrore u bëjnë thirrje banorëve të zonave ku janë shfaqur probleme, të bëjnë kujdes dhe garantojnë se janë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo rast të nevojshëm”, njofton Ministria.

j.l./ dita