Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Reshjet e shiut përmbytin Durrësin, mbeten pa energji elektrike disa fshatra të vendit

Reshjet e shiut, të cilat nisën të dielën dhe pritet të zgjasin edhe këtë të hënë kanë shkaktuar probleme në disa qarqe të vendit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH)) ka njoftuar të gjithë qytetarët në lidhje me situatën e rrugëve, duke iu kërkuar atyre të kenë kujdes edhe pse kontraktorët kanë bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo inerteve në trup të rrugës dhe janë në terren gati për çdo situatë.

Në Durrës, uji ka shkaktuar probleme në disa akse rrugore të qytetit bregdetar të Durrësit. Disa kryqëzime rrugësh në lagjet nr.1, nr.18 dhe në Plazh e Shkozet janë zgjuar të përmbytura nga ujërat, duke shkaktuar vështirësi dhe vonesa në qarkullim për këmbësorët dhe automjetet. Po ashtu probleme janë shënuar edhe në lagjet periferike të qytetit.

Në Shkodër, në njësitë administrative Rrethina dhe Ana e Malit nuk ka energji elektrike. 150-200 ha tokë është përmbytur në fushën e Muriqanit, e cila është shkaktuar si pasojë e daljes nga shtrati të ujit në përroin e “Balvaderit”.

Mësohet se kanali ujitës që vjen nga Berdica është burim përmbytjesh në zonën e Darragjit dhe Shiriqit për shkak se portat që shërbejnë për bllokimin e ujin nuk ekzistojnë fare.

Në bashkinë Pukë, nuk janë shfaqur probleme për shkak të reshjeve të shiut.

Në Vaun e Dejes si pasojë e reshjeve janë raportuar përmbytje tokash bujqësore në Bushat dhe Hajmel, po edhe mungesë energjie në disa fshatra të kësaj njësie administrative.

Në bashkine Malësi e Madhe shqetesim është mungesa e energjisë elektrike kryesisht në njësitë Kastrat, Kelmend e Gruemirë. Qafa Berdolecit është e kalueshme por vazhdon të ketë reshje të dendura dëbore. Shqetesim është edhe prroi i Rrjollit në fshatin Kçar i poshtëm.

Në bashkinë Fushë Arrez deri më tani nuk janë raportuar probleme, përveç mungesës së energjisë elektrike në disa zona të thella si njësitë administrative Iballë, Qafë-Mali dhe Blerim.

Në Lezhë, rreth 80% e fshatrave dhe një pjesë e qytetit kanë mbetur ditën e djeshme pa energji elektrike, ndërsa OSHEE bën me dije se po punohet për riparimin e defekteve të krijuara.

j.l./ dita