Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Restaurohen afishe origjinale të filmave shqiptarë

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Disa afishe origjinale të filmave shqiptarë, të dëmtuara nga përdorimi dhe ekspozimi i herëpashershëm u restauruan nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se afishet u restauruan nga laboratorët e AQSHF -së dhe DPA-së të specializuar për restaurimin e letrës.

“Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit i kushton rëndësi të veçantë edhe koleksioneve të tjera artistike që janë po aq me vlerë sa edhe ato filmike. Falë bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe laboratorin e tyre të specializuar për restaurimin e letrës, u realizua restaurimi i disa afisheve origjinale të filmave shqiptarë, të dëmtuara nga përdorimi dhe ekspozimi i herëpashershëm”, theksoi Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh “një punë e kujdesshme e restauratores Marinela Ndria, që riktheu në jetë këtë pjesë të historisë së filmit shqiptar”.

Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.

Përveç koleksionit në pelikulë, në origjinalin e vet të kopjes negative dhe në kopje arkivale në pozitiv, AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi, negativa te fotove, materiale të promovimit të veprës, partiturat e muzikës së filmave dhe posterat e tyre. Ky dokumentacion origjinal shoqërohet me të dhëna të tjera të shumta bibliografike, materiale shtypi, botime të ndryshme për filmin, fotografi të historisë së kinematografisë, të dhëna biografike të kineastëve shqiptarë, si dhe një dokumentacion aparaturash dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me muzeologjinë e filmit.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.