Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Roli i fundit i Guljelm Radojes/ Filmi që ekranizon makabritetet e burgut të Burrelit, drithëruese Luiza Xhuvani në rolin e nënës që kërkon eshtrat e të birit

Historia e një djaloshi 18-vjeçar që gjatë regjimit komunist lexonte libra të ndaluar, rrëfehet me gjuhën e kinemasë në filmin me metrazh të shkurtër, “Mbjellja e pemëve”. Skenari që bazohet në një tregim të Ylljet Aliçkës e ndjek personazhin deri në qelitë e ftohta të diktaturës, ku tortura ishte mjet pune dhe sajesa e akuzave krejt e zakontë. Një regjisor i ri, e tregon këtë histori në filmin e tij të parë dhe përvojën me aktorët.

“Në moment përveç librit të ndaluar i thoshin që ke dashur të arratisesh i shtonin dënimin që ti shtonin vitet. Artistët të dëgjonin, edhe pse isha i ri. Ishte privilegj, sidomos për Guljelmin që e ka edhe filmin e fundit”.
Aktori që interpreton personazhin kryesor, e prezanton atë përmes ndjesive personale dhe perceptimit të së shkuarës.
“Ndërkohë që hyn në burg i shtojnë dënimin dhe gjendja e tij emocionale rëndohet dhe bëhet e pasuportueshme. E dashura e lë për shkak të njollës në biografi. Të futurit në tekstin e Ylljet Aliçkës është goxha drithëruese të mendosh që kanë pasur aq pak liri”, thotë Roerd Toçe.

Filmi përjetëson rolin e fundit të Guljelm Radojës, atë të një të burgosuri politik në burgun famëkeq të Burrelit, që përpiqet të kujdeset për më të riun e qelisë, pa ia dalë ta mbajë në jetë.

Aktori Roerd Toçe tregon se “me profesor Guljelim kam pasur një raport shumë të mirë, me të që në shkollë. Ka qenë babaxhani i gjithë ne, në art nuk ka pasur njeri më të mirë se Guljelm Radoja”.
Edvin Mustafa, një tjetër aktor që luan shokun e qelisë, e prezanton filmin sipas një perceptimi të dhimbshëm, e megjithatë, kaq të prekshëm.