Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Sejko: Impakti i COVID-19, faktor dominant në ekonomi

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Banka e Shqipërisë hapi sot punimet e takimit të pesëmbëdhjetë për Kërkimet Ekonomike në Evropën Juglindore.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se “sot inflacioni është tema kryesore në diskutimin e politikës monetare”.

Sipas tij, zhvillimet e fundit inflacioniste i kanë ndarë akademikët dhe bankierët qendrorë në dy kampe që mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta.

Në njërën anë janë ata që mendojnë se inflacioni aktual është një fenomen i rrezikshëm që mund të nxisë një situatë inflacioniste e rrjedhimisht, kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme për të zhbërë politikat e bilancit e rritjen e normave të interesit, ndërsa në kampin tjetër mbështesin idenë se zhvillimet aktuale të inflacionit janë fenomene të përkohshme, të nxitura nga problematikat e ofertës që reflektojnë efektet negative të pandemisë.

Sipas Sejkos, këto pikëpamje diametralisht të kundërta ndërmjet ekonomistëve tregojnë se puna për përmirësimin e modeleve të inflacionit nuk duhet të ndalet, sidomos kur edhe pas gjithë këtyre viteve pune dhe kërkimi për njohjen e fenomenit të inflacionit përsëri kemi dyshime dhe qëndrime të dyzuara.

Guvernatori theksoi se, COVID-19 me problematikat dhe kufizimet e tij, vazhdon të mbetet një faktor dominant në jetën dhe aktivitetin tonë ekonomik e shoqëror, dhe natyrisht është pjesë e rëndësishme e analizës dhe kërkimit edhe për bankën qendrore.

“Megjithatë, zhvillimet e vitit të fundit tregojnë se axhendat e kërkimit të bankave qendrore janë pasuruar me studimin e rreziqeve të tjera, si ato që lidhen me ndryshimin e klimës e mjedisit, rreziqet demografike, digjitalizimin dhe monedhat digjitale etj. Këto janë identifikuar si sfida të mëdha e afatgjata për ekonominë globale dhe autoritetet e çdo vendi, dhe natyrisht që edhe Banka e Shqipërisë ka filluar punën për krijimin e infrastrukturës për modelimin dhe analizën e këtyre fenomeneve”, u shpreh Sejko. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.