TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Sektorë prioritarë në fushën e bujqësisë do të përfshihen në programin e subvencionimit të drejtpërdrejtë për të paktën 5 vjet me radhë, me qëllim përthithjen më të mirë të mbështetjes në zhvillimin e qëndrueshëm të tyre.

Në Kuvend ka mbërritur projektligji i ri i cili parashikon disa shtesa dhe ndryshime që kanë për qëllim të përmirësojë Ligjin “Për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, vitet e fundit volumi i prodhimeve bujqësore është rritur e rrjedhimisht është rritur dhe volumi i eksporteve. Rritja e prodhimit ka sjell konkurrencë me prodhuesit e vendeve të rajonit dhe nevojën e gjetjes së tregjeve të reja për të eksportuar prodhimet bujqësore.

Nga ana tjetër, tregjet e huaja por dhe tregu vendas, kërkojnë produkte në sasi dhe cilësi gjë e cila arrihet duke mbështetur fermerët që janë elementi bazë i gjithë zinxhirit prodhim-eksport, dhe kjo kërkon, ndër të tjera, dhe përmirësimin e Ligjit aktual.

Efektet nëpërmjet ndryshimeve do të ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e volumit të prodhime dhe eksportit, investime të reja në bujqësi, krijimin e vendeve të punës në zonat rurale duke përmirësuar jetesën e banorëve në zonat rurale.

Objektivat kryesore që synohen të arrihen përfshijnë: Mbështetje jo me pak se 5 vite në sektorë të caktuar duke përcjellë mesazhe të qarta për mbështetje afatgjate të sektorëve specifike me qëllim nxitjen e investimeve;Zgjerimin e fermerëve përfitues që mbështeten me subvencione direkte; Ndërhyrje për të rregulluar tregun në raste krijimi të stoqeve për arsye objektive dhe vendimeve kufizuese të autoriteteve publike; Uljen e varfërisë, zhvillim ekonomik dhe përmirësimin e jetës në zonat rurale ku bujqësia është sektori kryesor i punësimit; Përfshirja aktive e shërbimit diplomatik në dhënie asistence për eksportuesit dhe mbrojtja e tyre në marrëdhëniet me vendet ku eksportohet. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.