UASHINGTON, 19 tetor /ATSH/ – Prodhimi i energjisë elektrike nëpërmjet qymyrit në SHBA pritet të jetë më i lartë këtë vit, në krahasim me vitin 2020, për shkak të rritjes së çmimeve të gazit natyror dhe çmimeve relativisht të qëndrueshme të qymyrit, njoftoi Administrata amerikane e Informacionit për Energjinë (EIA).

Çmimet e gazit natyror në SHBA janë rritur për shkak të kërkesës së fortë dhe çmimeve rekord globale të gazit.

“Pritet që të nxirret 22 për qind më shumë qymyr në SHBA në 2021, sesa në 2020, duke shënuar rritjen e parë vit pas viti që nga viti 2014”, vlerësoi EIA.

“Kostoja e gazit natyror të furnizuar për gjeneratorët elektrikë mbeti relativisht e ulët dhe e qëndrueshme midis 2015 dhe 2020, por çmimet kanë qenë shumë më të larta këtë vit, duke rritur kërkesën për qymyr”, shtoi ajo.

Megjithatë, EIA vuri në dukje se, për vitin 2022, parashikon që prodhimi i qymyrit në SHBA të bjerë rreth 5 për qind, në përgjigje të mënjanimit të vazhdueshëm të kapacitetit gjenerues në termocentralet e qymyrit dhe çmimeve pak më të ulëta të gazit natyror./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.