Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Shkolla në Jabollçishtë të Çashkës mund të mbetet pa mësimdhënës

Melihate Rustemi

Shkolla fillore “Liria” në fshatin Jabollçishtë të komunës Çashkë të Velesit rrezikon të mbetet pa kuadër mësimor. Janë të shumta lëndët ku ka mungesë të mësimdhënësve, qoftë në grupin klasor poashtu edhe në atë lëndor. Drejtori Jusuf Ahmeti apelon mësimdhënësit e papunë të paraqiten në këtë shkollë, që sipas tij, plotëson të gjitha kushtet për zhvillim të mirëfilltë të procesit edukativo arsimor.

“Nëse bëjmë një kronologji, shkolla jonë vazhdimisht ka pas nevojë për mësimdhënës prej komunave tjera dhe na kanë ndihmuar. Mirëpo, tash kemi nevojë më tepër dhe fokusin e kemi te shkencat ekzakte, matematikë, fizikë, kimi, informatikë dhe për ciklin e ulët, grupi klasor”, deklaroi Jusuf Ahmeti, drejtor I sh.f “ Liria” Jabollçishtë.

Gjithashtu, drejtori Ahmeti bëri me dije se për mësimdhënësit është i siguruar qëndrimi në fshat gjatë ditëve të punës si dhe pagesa e transportit.

“Në kuadër të shkollës kemi edhe 6 mësimdhënës të cilët vijnë nga komunat tjera, gjegjësisht nga Shkupi dhe Kumanova. Organizimin, udhëtimin prej Velesit deri në fshat dhe banimin brenda javës, prej ditës së hënë e deri të premten ne e organizojmë, domethënë banojnë në ato banesat. Kështu që, me ngrohje, me udhëtim e siguri ua kemi mundësuar si shkollë fillore, ti kenë kushtet minimum të mira”, tha Jusuf Ahmeti, drejtor I sh.f “ Liria” Jabollçishtë.

Në shkollën fillore “Liria” të këtij fshati mësojnë mbi 800 nxënës. Siç tha drejtori Ahmeti, konkursi me afat të caktuar për mësimdhënësit e interesuar do të jetë i hapur deri më 1 dhjetor, me mundësi për zgjatje të afatit konkurrues./Alsat.mk