Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Simpozium shkencor mbi vreshtarinë dhe verëtarinë

TIRANË, 4 dhjetor/ATSH/ Ruajtja, zhvillimi dhe rilindja e traditës së lashtë të verëtarisë dhe vreshtarisë ka qenë në fokusin e simpoziumit shkencor “Vreshtaria dhe verëtaria në hapësirën mbarëshqiptare.”

Simpoziumi treditor u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës.

Në këtë takim u trajtuan temat për sfidat e vreshtarisë dhe kultivarëve autoktonë në Shqipëri dhe Kosovë me fokus nga kërkimi shkencor drejt tregut.

Çështjet e implementimit të legjislacionit lidhur me verëtarinë dhe vreshtarinë, sistemi i vreshtave dhe kontrollit të kualitetit të verës, ruajtja dhe konservmi i hardhive autoktone, krijimi i koleksioneve gjenetike të gjermoplazmës së kultivarëve autoktone të hardhive, përdorimi i metodave të biologjisë molekulare për identifikimin e kultivarëve autoktone të hardhive në Shqipëri dhe në Kosovë, si dhe identifikimi i sëmundjeve për t’i mbrojtur ato synojnë drejt zgjidhjes së problemeve, duke e rilindur dhe zhvilluar më tej traditën e trojeve shqiptare që kanë qenë një nga vatrat më të lashta të kultivimit të hardhive dhe prodhimit të verës në Europë.

Po ashtu, në këtë simpozium u trajtua edhe çështja e brandimit të markës shqiptare të verërave.

Verëtaria iliro-shqiptare ka rrënjë e histori disa mijëravjeçare dhe është pjesë e djepit të verëtarisë evropiane, veçanërisht e asaj mesdhetare, që përbën vatrën themelore të vreshtarisë e verëtarisë botërore.

Ky fakt dëshmohet me gjetjet arkeologjike: fara të karbonizuara rrushi para 9.000 vjetësh janë gjetur në shpellën e Konispolit; rrënoja venarish ka në Bylis të Mallakastrës, në Shesh të Tiranës, në rrethina të qytetit Elbasanit. Autori i mirënjohur Henri Enjalbert shkruan: “shqiptarët bashkë me ishujt grekë në detin Jon dhe me Bosnjën, mund të kenë qenë “prejardhësi” i fundit për hardhinë mbas periudhës së akullnajave”.

Në Shqipëri dhe Kosovë, verëtaria përbën vlerë të shtuar për ekonominë kombëtare.

Aktualisht veprojnë mbi 100 verari të licensuara, krahas atyre të prodhimit shtëpiak. Prodhohen rreth 15 lloje verërash bazë me kultivarët vendas, nga Cerruja deri te Vrançi, krahas verërave ndërkombëtare dhe atyre rajonore.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.