Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Soreca dorëzon progresraportin e KE-së, Rama: Konfirmon bindjen se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet

TIRANË, 20 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se raporti i progresit të Komisionit Europian është dokument udhërrëfyes dhe nuk ka krahasim në pikëpamje të objektivitetit që ai përfaqëson.

Kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori Luigi Soreca i dorëzoi sot kryeministrit Rama progresraportin e Komisionit Europian.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Rama tha se “ky Komision e rikonfirmon edhe njëherë bindjen e vet se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për të nisur edhe formalisht atë që është vendosur më parë në Këshillin Europian dhe për të ndërmarrë bashkë me BE-në diskutimin e anëtarësimit”.

Rama tha se “ne gjejmë te KE një partner të drejtë, të paanshëm, rigoroz, që e vlerëson progresin duke u bazuar në hulumtimin e fakteve në terren”.

“Raporti e vulos objektivisht se Shqipëria vjen nga një proces zgjedhor i padiskutueshëm në pikëpamje të integritetit dhe përputhjes me standardet dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se raporti vlerëson se “Shqipëria ka vazhduar të përparojë në reformat kyçe që janë në thelb reforma të shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike nga reforma në Drejtësi, ku procesi i Vetingut nënvizohet si histori suksesi te reforma në administratën publike, proces që përparon”.

Rama tha se progresraporti vlerëson se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është një luftë që përparon.

“Po ashtu raport vlerëson se respekti për liritë dhe të drejtat e njeriut rikonfirmohen si vlerë bazike e proceseve demokratike në vendin tonë. Politika e drejtpeshuar në aspektin barazisë gjinore nënvizohet. Po ashtu vlerësohen përpjekjet tona për ta përafruar kuadrin legjislativ me BE-në”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se raport vlerëson progresin në funksion të një ekonomie funksionale tregu përtej gjithë pengesave dhe goditjeve nga pandemia”.

Po ashtu, Rama tha se rinënvizohet angazhimi shumëpalësh i Shqipërisë dhe ndjekja e një politike të jashtme në përputhje me atë të BE-së. (vijon)

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.