Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Soreca: Vetingu të zgjatet, pikë referimi edhe për vendet e tjera

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi sot “procesi i Vetingut në Shqipëri po jep rezultate dhe ky proces duhet të zgjatet”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp sot në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, Soreca tha se “Komisioni Europian është shumë i qartë për standardin e sundimit të ligjit në BE”.

Në BE, theksoi ai, po merren hapa kundrejt atyre shteteve anëtare të cilat nuk iu përgjigjën këtyre kritereve.

“Në lidhje me Shqipërinë, Reforma në Drejtësi është përkthimi i të njëjtave parimeve. Kur u mor vendimi qartësisht nga Kuvendi i Shqipërisë për të miratuar Reformën në Drejtësi, kemi patur një situatë specifike për gjyqësorin dhe kjo është arsyeja, sepse në atë kohë u mor vendimi për të kaluar procesin e Vetingut, i cili po jep rezultate dhe ky proces duhet të zgjatet dhe si i tillë ky proces po shihet edhe nga vendet e tjera të cilat janë të interesuara, jo domosdoshmërisht në Ballkanin Perëndimor por edhe në Ballkanin Perëndimor, por edhe në fqinjësinë tonë më të gjerë”, deklaroi Soreca.

Ai tha se, “po studiohet kjo reformë”.

“Nuk aplikohet kjo gjë tani në këtë moment, por mund të aplikohet në vende të tjera në të ardhmen dhe është pikërisht e rëndësishme për këtë arsye që procesi i Vetingut jo vetëm të vijojë por edhe të përfundojë në Shqipëri, sepse po bëhet pikë referimi edhe për vendet e tjera në rajon por edhe më tej”, u shpreh Soreca. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.