TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Strukturat e kampingut janë nga sot pjesë e aplikacionit të promovimit të turizmit rural “Agrotime”.

Kjo konsiderohet një kategori e re e akomodimeve në zonat rurale, që po mbështetet nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me projekti SRD/GIZ dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Ekspertët që po punojnë për këtë risi shprehen se, “manuali i procedurave për zhvillimin e kampingut në Shqipëri, për të cilin po punohet, shumë shpejt do të vihet në dispozicion të të interesuarve”.

Agroturizmi me një klik është aplikacioni i ri “AgroTime AL”, një guidë online për të gjithë ata që duan të vizitojnë fermat turistike, të shijojnë produktet lokale, gatimet tradicionale dhe eksperiencën e posaçme që të ofron fshati përmes kësaj dege të re në zhvillim të turizmit shqiptar.

Janë 260 ferma turistike dhe rrugëtime drejt staneve, verës, ullirit, agrumeve, midhjes dhe peshkut në një aplikacion të vetëm, që u vlen agrosipërmarrësve dhe vizitorëve të këtyre pikave të bukura të Shqipërisë.

Falë mbështetjes me grante dhe një pakete të veçantë me lehtësi fiskale, agroturizmi është një realitet i ri për zonat rurale, në ndihmë të ekonomisë lokale sot e të asaj kombëtare nesër.

Të gjithë mund të shkarkojnë aplikacionin “AgroTimeAL”, që është nisma më e re që sjell agroturizmin shqiptar në smartfonin e gjithkujt, duke lehtësuar komunikimin me të gjitha hapësirat që ofron Shqipëria për agroturizëm.

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.