TIRANË 13 tetor /ATSH-I.Vata/ Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar sot për situatën ekonomike në vend ku duke ju referuar FMN-së ku deklaron se ekonomia është në krizë.

Duke iu referuar FMN-së, Tabaku shprehet se simptomat e një ekonomie në krizë.

“Qeveria po dështon në menaxhimin dhe rritjen e të ardhurave në buxhet edhe si pasojë e informalitetit të lartë dhe keqmenaxhimit të taksave. Qeveria po dështon tek shpenzimet, investimet janë jo eficiente dhe qytetarët e ekonomia nuk fitojnë prej tyre. Me pak fjalë investimet nuk prodhojnë rritjen e dëshiruar ekonomike, rritjen e punësimit dhe një shëndet më të mirë të ekonomisë. Situata me PPP është në kufijtë e çmendurisë, ato zënë 50% të PBB-së për vitin aktual duke e kthyer buxhetin e shqiptarëve në portofolin e miqve të qeverisë. Borxhi Publik pritet të rritet edhe më tej jo vetëm si pasojë e rritjes së PPP-ve por edhe si pasojë e rritjes së normave të interesit”, shprehet ajo.

Po ashtu Tabaku shton se “më e rëndë situata me shqiptarët që do të paguajnë më shumë për të blerë më pak ushqime. 51% e të ardhurave të familjeve tona shkon për ushqim dhe energji elektrike, do na shkojë edhe më shtrenjtë”.

“Transparenca me kontratat, me vendosjen e politikave fiskale dhe ligjeve kanë ndikuar në krijimin e një klime armiqësore me biznesin dhe taksapaguesit por mbi të gjitha që vendosin në pikëpyetje buxhetin në lidhje me PPP. Mungesë e plotë transparence se sa nga taksat e qytetarëve janë shpenzuar për shqiptarët gjatë pandemisë dhe sa i kanë shkuar në xhep koncesionarëve. Mungesë e plotë transparence për fondet e rindërtimit ndërkohë që gjasat janë që keqpërdorimi është disa milionësh. Ndërkohë që lufta kundër informalitetit ka prodhuar një ekonomi edhe më shumë informale. Shenjat tregojnë se rritja e çmimeve do t’i bëj edhe më shumë dëm të ardhurave të shqiptarëve që do të bjerren nga pesha e inflacionit dhe rritjes së çmimeve. Shqipëria e Ramës është ajo e varfëruar, me korrupsion, buxhet të shndërruar në portofolin e koncesionarëve dhe oligarkëve. Kjo nuk është qeveria e qytetarëve por e oligarkëve që abuzojnë në kurrizin dhe nga djersa e qytetarëve”, shprehet Tabaku.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.