TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Vajzat dhe gratë në uniformë do të kenë mundësinë që gjatë muajit tetor, që është edhe muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit të kryejnë kontrollin pranë qendrës shëndetësore në garnizonin “Skënderbej”, ku është vendosur një njësi e lëvizshme mamografie.

Zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici shoqëruar edhe nga zv.shefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral major Manushaqe Shehu ishin të pranishme në këtë pikë, ku po vijon kryerja e ekzaminimeve.

Zv.ministrja Bici iu drejtua me një mesazh të gjitha vajzave dhe grave të FA:

“Mesazhi im sot nuk vjen si zëvendësministre, por mbi të gjitha si grua dhe këtë mesazh sensibilizues e kam përtej grave në uniformë! Ky mesazh është për çdo grua, nënë, motër apo bashkëshorte. E vetmja mënyrë që kemi për të shpëtuar veten është zbulimi i hershëm! Mos hezitoni në asnjë moment të bëni kontrollet! Pa gruan nuk ka jetë!”, u shpreh Bici.

Bici tha se kjo sëmundje e tmerrshme nuk ka kursyer as gratë në uniformë, ndaj Ministria e Mbrojtjes, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka ndërmarrë këtë aktivitet i cili do të vazhdojë përgjatë gjithë tetorit dhe jo vetëm.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.