Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Thirrjet e familjarëve për gjak nuk mjaftuan, vdes në spitalin e Shkodrës ish-deputeti që drejtoi për 4 vjet Velipojën. I bënë atentat sot pasdite

Ndërron jetë në spitalin e Shkodrës ish-deputeti Pashko Ujka, i cili nga 2011 deri në 2015 drejtoi edhe Komunën e Velipojës.

Mbrëmjen e sotme rreth 18:00 atij iu bë pritë dhe u qëllua me silenciator në një lulishte pranë Kishës Ortodokse, teksa ishte duke shkuar në shtëpi.

Si pasojë e plagosjes Ujka humbi shumë gjak dhe pavarësisht thirrjes së familjes për ndihmë për të dhuruar, ai ndërroi jetë rreth orës 20:00.

Ai është dërguar ende i gjallë në spitalin rajonal të Shkodrës ku i është nënshtruar ndihmës mjekësore. Mësohet se i plagosuri kishte marrë një plumb në shpinë, pranë shtyllës kurrizore.

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën ku kanë ndodhur ngjarja.

Mes viteve 2005-2009, Ujka shkoi nga Partia Aleanca Demokratike te Partia Demokristiane e Nard Ndokës ku mbajti për disa kohë postin e kreut të grupit parlamentar.

Në vitin 2009 ai u shkarkua nga Nard Ndoka dhe pas përçarjes së partisë. Ujka ka drejtuar komunën e Velipojës për një mandat në vitet 2011- 2015 nën siglën e PS, ndërkohë që ka qenë dhe në krye të ekipit sportiv Ada.

Ai ka qenë shënjestër e atentateve dhe dy herë të tjera më parë.

Njoftimi i Policisë:

“Rreth orës 18:15, në  lagjen “Vasil Shanto” Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur  menjëherë shërbimet e Policisë  dhe vijon krehja e  zonës  me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor  nën drejtimin e Prokurorisë po  vijon punën për  sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”.

j.l./ dita