TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Mete, mori pjesë në takimet vjetore me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankën Botërore (BB), zhvilluar në formatin online.

Diskutimet e këtyre takimeve u përqendruan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, situatën në tregjet financiare, si edhe pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë për të ardhmen.

Në veçanti, tregjet financiare nën mbikëqyrjen e Autoritetit i janë rikthyer normalitetit, referuar treguesve dhe ecurisë së tyre përgjatë vitit 2021. Këto tregje paraqiten të mirëkapitalizuar dhe me nivel të mirë likuiditeti.

Kreu i AMF-së vlerësoi asistencën dhe mbështetjen e vazhdueshme të dy institucioneve financiare ndërkombëtare FMN dhe BB, në drejtim të Autoritetit.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore vlerësuan se Shqipëria u rezistoi efekteve të pandemisë dhe tregjet financiare paraqiten të qëndrueshme. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.