Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Vetingu i politikanëve, Rama: Për interesin e vendit jemi pro, kundër nëse mban era foltore

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se, ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita duhet të diskutohen me dialog, midis përfaqësuesve të PS-së, përfaqësuesve të PD-së.

Në replikë me kreun e PD gjatë seancës plenare, Rama u shpreh se, “unë e kuptoj dhe në këtë rast jam i bindur që të gjithë e kuptojnë sepse të duhet ty Lulzim kjo retorika e trimit të madh që s’ka shok shumë dhe që ka përballë frikacakë që nuk ia dalin dot të ballafaqohen me sfidat e këtij trimi. Kjo është shumë e qartë”.

Duke folur për vetingun, Rama tha se “e kuptoj se ku e ke hallin me atë vetingun tënd. Është gjetje e lodhur, se nuk ta beson njeri ty. Megjithatë nuk dua ta diskutoj, i qëndroj parimit që kam thënë. Hajde ta diskutojmë siç meriton të diskutohet, me ekspertët tanë dhe tuaj, si doni ta bëni, mbi cilat praktika të mira ndërkombëtare bazohet, në cilat vende ka treguar se ka sukses, çfarë thonë partnerët tanë. Nëse ne na del që kjo nismë është shpëtimtare për vendin, patjetër që ne do ta votojmë, nëse rezulton se kjo nismë është komardare si ato të fëmijëve që fryhen me gojë për të bërë sikur notojnë në formë peshkaqeni, atëherë ne do themi Lulzim vazhdo vëlla, bëj rolin e peshkaqenit të gomës që të mbrohesh nga peshkaqeni i foltores, nuk është puna jonë kjo. Thjesht ta ndajmë këtë, ju keni ekspertë plot, ne kemi disa, e shohim e diskutojmë, patjetër çdo gjë që i shërben interesit të përbashkët të vendit, ne na keni pro, çdo gjë mban pastaj era foltore ne na keni kundër”.

“Por edhe një herë. Dhe do ta bëj këtë parantezë, deri kur të humbasë shpresën dhe pastaj edhe të mos angazhohem më në këto lloj debatesh. Respekto që të të respektojnë. Nuk mundet dot ti dhe s’mundet dot dikush, qoftë individë, apo qoftë një forcë politike, që në përpjekjen për të realizuar një objektiv të vetin, duke mos pasur as shumicën, të dhunojë verbalisht rivalin. Nuk e bën dot. Kjo nuk funksionon”, tha Rama.

“Fatkeqësia është që ti e ke provuar shumë shpesh dhe aq herë sa e ke provuar, aq herë të është kthyer mbrapsht. Dhe aq herë sa ke mbajtur këto fjalime këtu, që janë bërë bozë me orën që ka ardhur, me momentin që ka mbërritur me pathyeshmërinë e procesit me lirimin e pengjeve se këtu u bëmë pengje të gjithë tani dhe s’po merret vesh se kush është pengmarrësi. Aq herë ke dështuar”, u shpreh Rama.

“Këto dokrrat e tua me trimëri, e me ndershmëri e me pathyeshmëri thuaja vetes, po mos dil këtu që të shfrytëzosh këtë foltore si Beni që ecën vetë natën në pyll dhe këndon që të mundë frikën. Të lutem. Të lutem se u bëre qesharak fare. Nëse do dhe je serioz të bësh procese këtu në këtë parlament, bashkë me ne për ato nisma që i ke lançuar, duhet të kuptosh që ne nuk kemi kohë për të humbur, por angazhohemi me të gjithë kohën për t’i bërë këto seriozisht. Dhe zotrote e ke treguar më shumë se njëherë se jo vetëm me shifrat,  por dhe me germat, ke probleme dhe e lexon siç të konvenon në atë moment, kur improvizon ditën e radhës në politikë”, theksoi Rama.

“Tani më vjen shumë keq. Ti ke leximin tënd, puna jote. Por ne nuk mundet dot të hyjmë në proces ndryshimi kushtetute e ndryshimi ligjesh këtu duke të të besuar ty sesi lexon ti. Këto bëhen me dialog, midis përfaqësuesve të PD-së, përfaqësuesve të PS-së, të cilët bën mirë shumë t’i respektosh po të them dhe njëherë tjetër, nëse nuk do që ta ndërpresim përfundimisht këtë mënyrë komunikimi dhe nëse nuk do që edhe ne të ta kthejmë me mos respekt, jo duke nxjerrë nga goja ato që guxon të nxjerrësh ti, se shkove deri tek kafshime tani. Se ke qenë aleat me një që kafshonte publikisht deri dje. Edhe të ka mbetur edhe kafshimi si strapallë në kokë edhe e nxjerr këtu. Sesa herë ke kafshuar edhe si kafshon ti. Goxha burrë. Se s’je goxha burrë prandaj e bën këtë. Kafshoja, kafshoja. Kur kafshoj unë, ti e di si kafshoj unë. Çfarë janë këto muhabete? Ku i bën? Je këtu po të shohin njerëzit, nuk je në ëndërr? Është ora 12-12:30 e drekës, zgjohu! Zgjohu! Lëri këto, kafshoj, kafshoj. E di nga e ke. Aleatin që ke pasur në krah, me kafshime me premtime për kafshime në vesh, në qafë, ku e di unë se ku. Po të lutem tani mos na bëj qesharakë të gjithëve këtu. Flet përçart këtu”, tha Rama.

“Dhe po të them që të mbyllim këtë persistencën tënde në të njëjtën gjë. Shpif, shpif se diçka do të mbetet. Kostoja Lulzim. Kostoja e ndërtimit është me m2 kur vjen fjala për shkolla. Kur vjen fjala për apartamente. Kur vjen fjala për njësi banimi. Nuk është me sasi Lulzim. Nuk është me sasi. Kaq shkolla, kaq, kaq shkolla aq. Se varet sesi janë ato shkolla. Dhe po të them që kostoja e ndërtimit për m2 të shkollave të investuara nga fondet e buxhetit të shtetit është mesatarja 47 mijë lekë. Kostoja e ndërtimit të shkollave të investuara nga programi i BE është mesatarja, mbi 47 mijë lekë. Nuk po ta them sa. Gjejeni ju se nuk dua të bëjë konkurrencë. Është mesatarja e 60 mijë lekë. Dakord. 60 mijë lekë. Është mesatarja. Dhe kjo nuk ka lidhje fare këtu me një garë. Dhe mund të ishte dhe kundërta dhe prapë nuk do kishte këtu lidhje për të bërë akuza dhe për të shpifur këtu. Prandaj hezitova ta them për të mos futur pikërisht këtë lloj narrative këtu. 47 mijë lekë”, u shpreh Rama.

“Dhe ato kompanitë e zgjedhura janë 400 kompani Lulzim. 400 kompani që nga kompanitë e projektimit tek kompanitë  e ndërtimit që janë angazhuar për rindërtimin. Dhe i gjithë programi i rindërtimit. I gjithi. I gjithi është më pak se gjysma e asaj rrugës Durrës- Kukës që vazhdon e përmend këtu dhe që akoma sot vazhdon ndërtohet. E kuptove. Këto janë faktet dhe urdhëro shko merri shifrat edhe hajde këtu ballafaqoi. Se shifrat nuk janë opinione. Shifrat nuk janë si ai vettingu që ke ti në kokë. Trimëri. Që jam trim unë dhe e bëj kështu dhe i vë kështu. Shifrat janë shifra. Pastaj hajde t’i interpretojmë pse është më lart pse është më poshtë. Po jo të kthehen shifrat në opinione. Del atje me letra që as nuk i kupton. Mos u merr me shifra, se nuk i kupton ti. Ke treguar historikisht që nuk i kupton. Mos i merr se ngatërrohesh. Ti nuk kupton germat. Tregon çfarë thotë FMN-ja për vdekjet e foshnjave. Çfarë thotë Venecia për vettingun. Tregon ti? Ku e di ti? Ti i merr të gjithë dhe i përdor sipas asaj këngë së radhës që ke”, tha Rama.

“Këto janë gjëra që diskutohen në tryezë midis përfaqësuesve tuaj dhe përfaqësuesve tanë nëse do. Nëse mendon ti që do bësh këtu amendamente e do bësh këtu nisma me ultimatume, nga kjo selia këtu afër, atëherë këto harroji. Mund të bësh propagandë me këto sa të duash. Dhe ta thashë, mos vazhdo të njëjtën gjë. Se nuk mund të më flasësh ti mua për njerëzit kur edhe në selinë e partisë tënde futesh nga mbrapa sot. E kupton. Nuk mundesh. S’futesh dot as nga përpara, ditën, se ka njerëz atje dhe s’dihet se çfarë foltoreje shfaqet rrugës. Mos i hy këtyre fare, pse i hyn? Këtu ke ardhur në parlament ne s’kemi punë fare këtu me ju. Hajde këtu në parlament fol për çështjet që kanë njerëzit”, theksoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.