Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

(VIDEO) Edhe sot bisedime për shumicën e re parlamentare

Bisedimet për shumicë të re parlamentare po vazhdojnë intensivisht mes dy raundeve të zgjedhjeve lokale. VMRO DPMNE si fituese e zgjedhjeve lokale tashmë ka nisur bisedimet me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend. Kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski ka folur me dy liderët e opozitës shqiptare Afrim Gashi dhe Ziadin Sela, të cilët bashkë kanë 12 mandate në Kuvend. Në këto takime është dakorduar që të vazhdojnë bisedimet edhe me partitë e vogla në koalicion me Zaevin, për formimin e një qeverie të re ku bartëse do të ishin VMRO DPMNE dhe koalicioni ASH-AAA.

Edhe nga LSDM-ja në pushtet po vijnë sinjale se humbja në zgjedhjet lokale do të sjellë dridhje të pashmangshme në koalicionin qeverisës. Vetë kryeministri Zoran Zaev ka bërë me dije se në rast se humbet Shkupi, ai do të mendojë për dorëheqje si nga Qeveria ashtu edhe nga posti i kryetarit të partisë.

Brenda shumicës parlamentare në koalicion me LSDM-në ka më shumë parti të vogla të cilat dolën në zgjedhje lokale vetë dhe jo në koalicion me LSDM-në. Jozyrtarisht tashmë janë vendosur kontakte me këto parti, si dhe partitë e komuniteteve turke, rome dhe të tjera, për t’iu bashkëngjitur shumicës së re parlamentare. Bisedimet pritet të finalizohen pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, të cilat mbahen më 31 tetor. /SHENJA/