Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Vijimi i studimeve “Master”, tarifat e shkollimit për të gjitha degët e Universitetit Politeknik

Përcaktohen tarifat vjetore të studimit që do të duhet të shlyejnë studentët e ciklit të dytë “Master profesional” dhe “Master shkencor” për vitin akademik 2021-2022 në të gjitha degët e fakulteteve që janë pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës.

Në total janë 49 programet e studimit të ciklit të dytë që zhvillohen në të 7 fakultetet e Universitetit Politeknik të Tiranës, ku 21 prej tyre janë degë studimi “Master profesional”, ndërsa në 28 të tjera studimet zhvillohen në “Master shkencor”. Për secilën prej këtyre degëve, në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar tarifën vjetore për kredit të lëndës që duhet të shlyeni kur ndiqet si program i parë, si dhe tarifën për kredit kur studimet zhvillohen si program i dytë, kostoja e të cilave do të përballohet nga vetë studenti.

Sipas kushteve të përcaktuara më herët nga Këshilli i Ministrave, për ciklin e dytë të studimeve mbështetje sa i takon reduktimit të tarifës do të mund të përfitojnë studentët që kanë vlerësime të larta. Kështu, çdo student që ndjek ciklin e dytë të studimeve dhe që është me mesatare 9-10 përfiton reduktim të tarifës së përcaktuar me 50 për qind”. Ndërsa kategoritë e tjera të studentëve do të duhet të mbulojnë vetë koston vjetore të programit që janë duke ndjekur.

Tashmë prej më shumë se një muaji po vijon normalisht procesi mësimor nëpërmjet prezencës fizike në auditore në të gjitha strukturat publike të arsimit të lartë në vend, ndërkohë që një pjesë e mirë e studentëve i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCovid. Edhe për këtë vit akademik, autoritetet e Universitetit Politeknik bëjnë me dije se referuar: “Rregullores së Zhvillimit Kurrikular dhe Mësimdhënies në UPT”, janë tre sesione të përcaktuara provimesh që do të zhvillohen edhe për studentët e ciklit të dytë (sesioni i dimrit, sesioni i verës, si dhe sesioni i vjeshtës). Sezonet e provimeve do të zhvillohen pas 14 javësh mësimi. Po sipas rregullores, në përfundim të dy sezoneve të para studentët që janë të pakënaqur me notat e marra në provime do të mund të bëjnë edhe përmirësimin, por vetëm për dy lëndë të caktuara. “Studenti, pas mbarimit të sesionit të verës, ka të drejtë të kërkojë në sekretarinë mësimore të hedhë 2 lëndë të vitit që sapo ka përfunduar për përmirësim. Kështu, mund të përserisë 2 provime të vitit që sapo përfundoi me qëllim përmirësimin e notës”, përcaktohet në rregullore.

Cikli i dytë i studimeve përfshin programet e studimit “Master i shkencave”, “Master i arteve” dhe “Master profesional”, referuar nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Programet e studimit “Master i shkencave” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara teorike, si edhe me aftësim për kërkim shkencor në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen në: programe që realizohen me jo më pak se 120 kredite formimi në vijim të ciklit të parë dhe me kohëzgjatje normale dy vite akademike, si dhe programe të integruara të studimeve të ciklit të dytë, që realizohen me 300 dhe 360 kredite dhe me kohëzgjatje normale respektivisht pesë dhe gjashtë vite akademike. Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ofrohen në fushat e drejtësisë, mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës. Studimet e ciklit të dytë “Master i shkencave” përmbyllen me punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer.

Ndërsa programet e studimeve “Master profesional” pajisin të diplomuarit me njohuri të thelluara, profesionale në një fushë të caktuar. Këto programe organizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studimet e ciklit të dytë “Master profesional” përmbyllen me provim përfundimtar formimi ose punim diplome dhe në përfundim të tyre lëshohet diplomë “Master profesional” në fushën e arsimimit të kryer.

Tarifat (Kliko)