Albania
This article was added by the user Anna. TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Vokshi: Gratë janë forca e ndryshimit për të çuar Shqipërinë përpara

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Në muajin ndërkombëtar të sensibilizimit për kancerin e gjirit, Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, Albana Vokshi u bëri thirrje grave dhe vajzave në mbarë vendin të kryejnë kontrollin periodik.

Gjatë një aktiviteti të organizuar nën kujdesin e Fondacionit Suedez, Jarl Hjalmarson foundacion i partisë simotër MODERATA, Vokshi u ndal edhe në nevojën për rritjen e rolit të grave në emergjencën për ndryshim. Sipas saj, vokacioni europian i një shoqërie buron nga gratë.

“Ne mund ta ngremë vetëdijen e shoqërisë apo forcës politike ku aderojmë edhe atëherë kur çdo shpresë është e fikur. Kur flitet për besim, për ndryshim për zhvillim ne mund të jemi kudo dhe dimë të jemi kudo. Dimë të jemi si nëna që sakrifikojmë gjithçka për të arsimuar fëmijët, si profesioniste që kemi arritur standarde dhe rezultate impresionuese në sektorët ku punojmë, si studente të shkëlqyera apo si gra familjare që përballemi me sfida ndoshta të paimagjinueshme për një grua dhe një nënë europiane. Unë, si politikane, prej shumë vitesh në politikë, por jo vetëm, kam bindjen që vokacioni europian i një shoqërie buron nga gratë. Sepse në to është instikti i nënës që sakrifikon nga vetvetja për të arsimuar fëmijët”, u shpreh Vokshi.

Vokshi tha se në bazë të statistikave zyrtare, vitet e fundit, numri i grave e diagnostikuara me kancerin e gjirit pothuajse është dyfishuar dhe numri i grave që kanë humbur jetën është rritur në mënyrë të konsiderueshme. “Për shkak të pandemisë dhe politikave krejt të gabuara të ndjekura nga Qeveria dhe ministria e Shëndetësisë, siç edhe raporti i fundit i KLSH evidentoi së fundmi, shumë grave ju privua e drejta e kontrolleve apo kurave. Kalavari i një gruaje diagnostikuar me kancer gjiri është i gjatë, i vështirë e shpesh e bën të pamundur edhe udhëtimin e jetës, por një gjë është e sigurt, nëse diagnostikohen në faza të hershme të sëmundjes, kanë shanse të mëdha për t’u shëruar”, tha Vokshi.

Vokshi foli për mungesë të fushatave sensibilizuese nga ana e institucioneve, por theksoi se rolin që çdo grua me një funksion mund të luajë në drejtim të ndërgjegjësimit për kontrolle periodike.

“Në mungesë totale të fushatave të sensibilizimit nga ana e institucioneve shtetërore, është detyrë e secilës prej nesh të bëjmë sa më shumë në këtë drejtim, në mënyrë që gratë dhe vajzat të kenë kontrolle periodike, për parandalimin e kësaj sëmundje që po merr përmasa të tmerrshme. Ndaj sot të gjitha ne mbledhur këtu në këtë sallë, çdo kryetare në strukturat apo komunitetin ku jeton ka një rol të rëndësishëm për të luajtur: të sensibilizojë çdo ditë të tetorit, por edhe çdo ditë të vitit. Mesazhi im për të gjitha gratë sot është: ju lutem kontrollohuni, kryeni testet dhe kontrollet e duhura periodike!”, u shpreh Vokshi.

Vokshi foli për shtimin e barrës së gruas nga rritja e çmimeve, mungesa e punësimit, mungesa e mundësive, apo mungesa e shërbimeve shëndetësore e sociale. Më tej ajo theksoi sot numri i grave të dhunuara në familje është në shifra alarmante, i shtuar edhe për shkak të pandemisë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.