Albania
This article was added by the user . TheWorldNews is not responsible for the content of the platform.

Berisha: Akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër kryetarit të PD për Vaun e Dejës

TIRANË, 11 prill/ATSH/ Kryetari i grupit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot pas atentatit me tritol ndaj kryetarit të PD-së për Vaun e Dejës, Bernard Ndreca.

“Sot në mëngjes u krye një akt i rëndë i terrorizmit shtetëror kundër Bernard Ndrecës, kryetar i PD për Vaun e Dejës, me qëllim eliminimin e tij fizik. Bernard Ndreca është një qytetar shembullor, e tillë është familja e tij. Terroristë shtetërorë, sipas regjistrimit të kamerave, kanë vendosur tritolin në makinën e tij. Bernardi, tek nisej për në punë, pas disa metrash përballet me një eksplozion të tmerrshëm që i shkatërron pjesën e përparme të makinës. Por fatmirësisht, vetë ai shpëtoi nga ky atentat i mirëfilltë politik”, tha Berisha.

Sipas tij, “ky përbën një krim të shëmtuar, përbën një akt të pashembullt në historinë e zgjedhjeve kur një drejtues kryesor i një dege të PD-së, sulmohet apo ndaj tij organizohet një atentat për likuidimin e tij”.

“Vau i Dejës dhe mbarë Shqipëria, janë sot më të vendosur se kurrë në fitoren e këtyre zgjedhjeve. Unë kam biseduar në telefon me Bernardin, me deputetin Zef Hila dhe u shpreh atyre mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë. Gjithashtu, dënoj këtë krim të shëmtuar. Specialistët e tritolit janë të gjithë nën kontrollin qeveritar shtetëror. Pasi dështuan me të gjitha mënyrat në Vaun e Dejës, së fundmi zgjodhën atë më ekstremen, por edhe me këtë dështuan”, tha Berisha.

Berisha bëri përgjegjës direkt kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Bledi Çuçi, pasi sipas tij, “policia e Vaut të Dejës dhe shefi i komisariatit sillen si një seksion i PS-së”.

“Me sjelljet e tyre militanteske, të gjitha pistat dhe dyshimet shkojnë se ata janë dorës dhe organizatorë të këtij akti. Unë u bëj thirrje demokratëve të Vaut të Dejës dhe mbarë Shqipërisë të vazhdojmë këtë betejë. Koha e monizmit merr fund më 14 maj. Qytetarët e Vaut të Dejës do të votojnë Zef Hilën dhe Bernard Ndreca do të udhëheqë një nga fushatat më të suksesshme në Shqipëri”, tha ai. /m.m/ /gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.